Albin, pse po hesht ndaj thirrjeve ksenofobe dhe kundërhebraike?

19.09.2017 15:55:10

Nga Rexhep Kastrati

Fillimisht kam dashur ta marr si përpjekje të një individi për t’u medietizuar për qëllime elektorale, por qëndrimi i vazhdueshëm i tij ksneofob dhe kundërhebraik, si dhe heshtja e strukurave drejtuese të VV-së, ndaj këtyre qëndrimeve, i ridimensionon ato, duke u bërë kështu nënkuptueshëm edhe qëndrime të vetë VV-së. Këtë e përforcon edhe fakti se një reagim i mefshtë i një përfaqësueseje të VV-së kishte nota relativizuese, por jo edhe kundërshtuese ndaj qëndrimeve të tilla ksenofobe dhe kundërhebraike.

Ndërkohë që VV, pra edhe Albin Kurti po heshtin dhe nuk po e distancojnë veten nga qëndrime të tilla ksnofobe dhe kundërhebraike, është ambasada hebarike në Beograd, por që mbulon edhe Kosovën, që është shprehur e shqetësuar ndaj qëndrimeve të këtilla, dhe ka kërkuar që ky qëndrim të mos jetë qëndrim zyrtar i Kosovës dhe i forcave politike në Kosovë, pra as i VV-së.

Edhe një shoqatë e hebrenjve të Kosovës, po ashtu ka kërkuar që të ndalen këto thirrje ksenofobe dhe kundërhebraike.

Në Kosovë, ka familje hebreje që kanë jetuar dhe jetojnë në harmoni të plotë me familjet shqiptare dhe të komuniteteve pakicë, duke e thelluar edhe më tej raportet miqësore ndërmjet popullit shqiptar dhe popullit hebre.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, pra gjatë përndjekjes së hebrenjve nga nazistët, shqiptarët u kanë ofruar strehim, ushqim, siguri dhe gjithçka që kanë mundur që ata të mos pësonin dhe të mund të bënin një jetë normale.

Pas Luftës së dytë Botëtore, por sidomos pas rënies së komunizmit, familje hebreje janë ribashkuar me të afërm të tyre në Izrael, dhe kanë kontribuar që të forochet miqësia ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve.

Qëndrimet ksenofobe dhe kundërhebraike nga VV, dhe nga kushdo që mund të vijnë, janë në kundërshtim me traditën e shqiptarëve, në kundërshtim me qëndrimin historik ndaj hebrenjve dhe ndaj të tjerëve, dhe si të tilla nuk përfaqësojnë as mendësinë, asnjë element socio-kulturor, psiko-social dhe socio-politik të shqiptarëve, por vetëm qëndrime strategjike të qarqeve pansllaviste që synojnë t’i përfshijnë shqiptarët në skenarë armiqësimi me hebrenjtë dhe me aleatët tanë euro-atlantikë.