ALBULENA HAXHIU OFERTOI 300 MIJË EURO NË EMËR TË FATON DALLADAKUT

20.05.2020 20:40:41

Emri i Albulena Haxhiut është i përfshirë në një tender në vlerë prej 300 mijë eurosh, për blerjen e një toke, në vitin 2010. Si përfaqësuese e Faton Dalladakut, ajo kishte vënë nënshkrimin e saj në dokumentet për ofertim lidhur me këtë shit-blerje, për të aplikuar në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Haxhiu, e cila sot është Ministre e Drejtësisë nga radhët e Vetëvendosjes, ishte personalisht e autorizuar nga Faton Dalladaku për të ofertuar në AKP për blerjen e një toke prej 14.1554 hektarësh në Suhadoll të Lipjanit. Me numrin e regjistruar të kualifikimit të ofertuesit HQ3221, më 14. 06. 2010, Faton Dalladaku kishte aplikuar në tenderin për blerjen e “NSH Kosova Tokë Bujqësore A, Suhadoll, Lipjan”, përmes likuidimit 2, shkruan Periskopi.