Albulena Haxhiu thotë se dikush nga brenda po e shaktërron me qëllim Vetëvendosjen

28.01.2018 22:37:47

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka kritikuar njerëzit  bashkëpartiak, që siç ka thënë ajo, po e ‘luftojnë e sulmojnë’ partinë për brenda.

“Po duket që qëllimi i atyre që po e luftojnë e sulmojnë Lëvizjen Vetëvendosje nga brenda, është që ta shkatërrojnë shtëpinë e madhe të përbashkët para se ta ndërtojnë kasollen e tyre të vogël”, ka shkruar Haxhiu, në llogarinë e saj në Facebook.

Por, lidhur me këtë, Haxhiu nuk ka treguar me emra se kujt i është drejtuar specifikisht.

VV më herët, ka pasur përplasje mes përkrahësve të kryetarit Albin Kurti dhe grupit që ka dalë kundër tij.

Nga Vetëvendosje kanë dhënë dorëheqje disa anëtarë të kryesisë, duke përfshirë ish-kryetarin Visar Ymeri, ish-sekretarin organizativ Dardan Molliqaj, ish-nënkryetari Dardan Sejdiu, deputetët Faton Topalli, Shqipe Pantina e Frashër Krasniqi. Dorëheqje kanë dhënë edhe aktivistë të tjerë.

Ditë më parë ish-sekretari organizativ i VV-së, Molliqaj, kishte thënë se vështirë që në Vetëvendosje do të ketë pajtim, ndërsa kishte lënë të hapur mundësinë e krijimit të një subjekti të ri politik.

Poashtu, sëfundi deklarata e liderit të VV-së, Albin Kurti, se në Lëvizje ka pasur ngacmime seksuale ka ngjallur reagime të mëdha.

Vetë aktivistët e VV-së janë duke bërë akuza publike se aty ka pasur orgji në treshe dhe drogë në zyra.