Aleanca për Gjermaninë rrëzon CDU-në në Mecklenburg-Vorpommern, përfiton SPD

05.09.2016 12:51:52

Partia e kancelares gjermane, Angela Merkel, vuajti një humbje poshtëruese në zgjedhjet e zhvilluara në shtetin Mecklenburg-Vorpommern në verilindje të Gjermanisë.

Alternativa për Gjermaninë (AfD) mori rreth 21 përqind të votave, duke befasuar shumëkënd.

Ndërkohë në vend të parë u pozicionuan socialdemokratët e SPD me 30 përqind të votëve.

CDU e Merkel mori vetëm 19 përqind të votave, rezultati më i keq ndonjëherë në këtë shtet.

Sipas BBC, kjo është një humbje poshtëruese për kancelaren Merkel, jo vetëm sepse vjen në zonën e saj elektorale, por sepse zgjedhjet shihen si një test i rëndësishëm përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, ku Merkel synon mandatin e katërt.

Për shkak se është rritur ndjeshëm partia Alternativa për Gjermaninë, një parti anti-emigrantësh, votimi sugjeron se kjo ka qenë një shuplakë për politikat e Merkel në këtë drejtim.

Mecklenburg-Vorpommern është një nga shtetet më të varfëra në Gjermani dhe zakonisht zgjedhjet vendosen nga politikat ekonomike.

Por këtë herë duket se vendosi çështja e refugjatëve.

Një zyrtar i lartë i CDU tha se ky është një rezultat katastrofik.

Kurse një drejtuese e Alternativës për Gjermaninë, partia që ka pak kohë që është krijuar, por ka njohur një rritje meteorike, tha se “Merkel e rrëzoi veten vetë”.

Frauke Petry mbërriti në festën e partisë me një varkë, kurse të tjerë zyrtarë të AfD thanë se ky është fillimi i fundit të Merkel.