Aleksandër Vuçiç: Serbia me “shpatulla pas muri”, katastrofë nëse…

08.03.2019 20:05:14

Aleksandër Vuçiç deklaroi për “TV Prva” se Serbia është mbështetur me shpatulla pas muri dhe se gjendet në pozitë të vështirë.

Ai ka komentuar miratimin e djeshëm të Platformës së Kosovës për dialog me Serbinë, të cilën e ka quajtur të keqe dhe kundër dialogut.

“Ka probleme, ne jemi mbështetur për muri, jemi në pozitë të vështirë. Ne gjithmonë kemi qenë për dialog, por tani nuk kemi ku të shkojmë tutje. Jemi këtu ku jemi, do ta mbrojmë dhe do ta ruajmë vendin tonë. Do të presim 10, 15 ditë e do të marrim vendimin tonë në interes të Serbisë”, ka thënë ai.

Vuçiç, pas takimit me diplomatin amerikan David Hale ka vazhduar fushatën dhe ka zhvilluar takime me qytetarë jashtë Beogradit.

Gjatë mitingut ai i ka ftuar ata që e përkrahin Kosovën që ta mendojnë mirë: “sa jemi larg nga katastrofa nëse shqiptarët vazhdojnë me hapa të pandërgjegjshëm”.

“Kemi punë me njerëz të rrezikshëm e të papërgjegjshëm”, ka thënë duke aluduar për politikanë të Kosovës.