Aleksander Vuçiq në fjalët e Avni Arifit: Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon më 26 shkurt

18.02.2018 16:28:17

U bënë një muaj që pala serbe ndërpreu dialogun me Kosovën, e kjo për shkak të vrasjes së liderit të Iniciativës Qytetare Serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq.

E tek pas një muaji, vjen reagimi i palës serbe, për ditën kur pritet të fillojnë sërish bisedimet, mes Kosovës e Serbisë.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar për mediet serbe se dialogu do të vazhdojë me 26 shkurt.

E për datën e bisedimeve, kreu i delegacionit kosovar në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, në një prononcim  pati thënë dy javë më parë, se dialogu pritet të rifilloj pikërisht në fund të shkurtit, për të cilën e konfirmoi Vuçiq.

“Datë të saktë nuk ka mirëpo shpresoj që në fund të muajit shkurt do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi”, pati thënë Arifi .

Ndryshe, dialogu ka qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe integrimin e komunitetit serb në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës.

Ndërkaq, zbatimi i marrëveshjeve dhe obligimeve nga ky dialog, Kosovës dhe Serbisë, u është vënë si kusht në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Agjenda thuhet se është e njëjta ajo që ishte paraparë të diskutohej gjatë janarit, e ku pala serbe u tërhoq pas vrasjes së politikani serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.