Alepo: Raportohet për dhjetëra civilë të vrarë

30.11.2016 14:54:51

21 civilë janë vrarë sipas aktivistëve si pasojë e sulmeve artilerike në një zonë që kontrollohet nga rebelët në Alepo.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë sot se dhjetëra të tjerë janë lënduar në këtë sulm.

Bombardimi raportohet të ketë sulmuar një grup të civilëve të zhvendosur që ishin duke u larguar nga Alepo pas sukseseve në betejë të forcave qeveritare, transmeton REL.

Ndërkohë, mediat shtetërore raportojnë se tetë civilë janë vrarë dhe shtatë të tjerë janë lënduar gjatë sulmeve të rebelëve në pjesën perëndimore të Alepos që kontrollohet nga qeveria.

Forcat qeveritare të Sirisë e kanë rimarrë kontrollin mbi një të tretën e Alepos gjatë fundjavës.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se mbi 50 mijë njerëz janë zhvendosur si pasojë e ofensivës qeveritare. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq thotë se numri i të zhvendosurve megjithatë është rreth 20 mijë.