Ali Berisha kujton Riza Llukën dhe shokët e tij: 28 vite më parë ishte fillimi i thyerjeve të mëdha

23.03.2017 16:46:05

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Berisha, në 28 vjetorin e suprimimit të autonomisë së Kosovës ka kujtuar deputetët shqiptarë, të cilët kishin votuar kundër.

Ai ka shkruar në profilin e tij në Facebook, se njëri nga 10 deputetët e guximshëm shqiptarë, të cilët e sfiduan pushtetin e asaj kohe, ishte pejani Riza Lluka, tashmë i ndjerë, për të cilin Berisha e ka cilësuar si bashkëpunëtor të mirë gjatë qeverisjes që e kishte në kohën kur po e drejtonte komunën e Pejës.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Berishës:

28 vite nga fillimi i thyerjeve të mëdha.

Respekt për deputetët që kundërshtuan me votë ndërhyrjen e Millosheviqiane në Kosovë.

Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, do të ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974.

Me këtë suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë

Brenda në sallë, fare pak deputetë shqiptarë që nuk u frikësuan dhe i ngritën gishtërinjët kundër heqjes së autonomisë së Kosovës.

Nga 190 delegatë të tre dhomave sa kishte atëherë Kosova, vetëm 10 deputetë shqiptarë, votuan kundër lënies së Kosovës nën Serbi.

Përkundër presionit të madh nga aparati serb, në mesin e 10 deputetëve që votuan kundër, mbetet edhe Riza Lluka i ndjerë, një nga bashkëpunëtorët e mirë që e kisha gjatë qeverisjes me Pejën.