“Alienët i kemi nën këmbë”

26.11.2016 14:28:20

Njerëzimi ka drejtuar prej shekujsh sytë nga qielli në kërkim të formave të tjera të jetës, kërkime që në dekadat e fundit kanë avancuar më së shumti.

Por një grup shkencëtarësh thonë se ‘për forma aliene’ jete duhet kërkuar poshtë këmbëve tona.

Steve Jacobsen i Universitetit të Ilinoisit thotë se poshtë mantelit të Tokës, mund të fshihen oqeane të mëdha me ujë. Pikërisht në këto oqeane, shton ai, mund të gjenden gjallesa aq të panjohura për njerëzimin sa pa frikë mund të quhen “aliene”.

“Nëse ky oqean nuk do të ishte nën këtë mantel, atëherë të gjithë ne do të ishim përmbytur”, thotë Jacobsen.

Shkencëtari amerikan ka arritur në këtë përfundim pas gjetjes së një diamanti në Brazil, struktura e të cilit nuk mund të formohet me trysninë normale të ushtruar nga oqeanet sipërfaqësore të Tokës.

“Kjo për mua është një e dhënë që sugjeron se Toka ka rezervuare uji shumë herë më shumë nga sa mendonim”, shton ai.

Teoria “zyrtare” e shkencës deri më tani është ajo që vendos kufirin e gjallesave në mantelin e Tokës. Më poshtë, sipas kësaj teorie, temperaturat dhe presioni janë shumë të larta për një organizëm që të mbijetojë, qofshin këto organizma mikroskopikë.