Alternativa mbështet mocionin për rrëzimin e Qeverisë

14.04.2017 18:00:19
Subjekti më i ri në Kosovë, Alternativa me anë të një komunikate ka konfirmuar se do ta mbështet mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.
Kjo parti ka bërë të ditur se është për krijimin e një koalicioni të gjerë politik, i cili duhet të jetë në funksion të shtetndërtimit, zhvillimit ekonomik dhe formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Alternativa, përmes deputetit Ilir Deda, do ta japë nënshkrimin e 40, nëse sigurohen 39 nënshkrimet tjera për përkrahje të mocionit për rrëzim të Qeverisë, dhe njëkohësisht do ta ndërmarrë një iniciativë të takimeve nga java e ardhshme për ofrimin e alternativës për ndryshim të qeverisjes në vend, përfshirë krijimin e një fronti të gjërë shoqëror dhe politik, ku interesat e caktuara partiake do të vendosen në plan të dytë”, thuhet në komunikatën e subjektit të Mimoza Kusari Lilës dhe Ilir Dedës.

“Alternativa është për krijimin e një koalicioni të gjerë politik për ndryshime, i cili duhet të jetë në funksion të përmbylljes së suksesshme të shtetndërtimit, zhvillimit ekonomik, uljes së papunsisë, formimin e Ushtrisë së Kosovës, reformën në drejtësi me luftë të përnjëmend kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.Të gjithë që janë për ndryshime duhet të pajtohemi për një kandidat të pavarur e jo partiak për kryeministër dhe një qeveri më të vogël, kompakte dhe funksionale”, thuhet në njoftimin e kësaj partie”, është bërë e ditur nga Alternativa.

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë i organizuar nga Nisma deri më tani është mbështetur nga të gjitha partitë opozitare, dhe nga disa deptutetë të PDK-së.