Ambasada Amerikane: Policët që hetuan rastin, ku u konfiskuan 99 pistoleta, u trajnuan në SHBA

31.03.2019 12:41:02

Ambasada Amerikane në Kosovë ka përgëzuar zyrtarët e Policisë së Kosovës për operacionin e suksesshëm, para 10 ditësh, në rastin e kontrabandimit me armë, që rezultoi me arrestimin e tre personave dhe konfiskimin e 99 pistoletave, municionit dhe gjëra të tjera.

Ambasada e SHBA, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se zyrtarët që hetuan këtë rast u trajnuan në SHBA dhe është kënaqësi të shohësh se si aftësitë e tyre janë vënë në punë për ta ndihmuar Kosovën që të bëhet një vend më i sigurt.

“Më 21 mars, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, pas një hetimi intensiv tre mujor lidhur me kontrabandën ka arrestuar 3 persona dhe ka konfiskuar gjithsej 99 armë zjarri të shkurtra, medikamente të kontrabanduara, detergjent për larjen e enëve, automjete, municion dhe para. Zyrtarët që po hetonin këtë rast u trajnuan nga SHBA-ja – është kënaqësi të shohësh se si aftësitë e tyre janë vënë në punë për ta ndihmuar Kosovën që të bëhet një vend më i sigurt”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane.