Ambasada e Francës në Shqipëri reagon ndaj njoftimit se Hollande do ta vizitojë Tiranën

04.01.2017 15:28:51

Ambasada e Francës në Shqipëri reagoi sot për njoftimet e djeshme në median shqiptare lidhur me vizitën në Tiranë të Presidentit francez, François Hollande, në fillim të marsit.

Në një njoftim për shtyp, ambasada, pasi i uron autoriteteve dhe popullit shqiptar paqe, lumturi dhe begati për vitin 2017, sa i takon vizitës së Presidenti francez shprehet se nuk ka akoma asnjë informacion të besueshëm mbi programin e kësaj vizite.

“Ambasada e Francës në Shqipëri u uron autoriteteve dhe popullit shqiptar paqe, lumturi dhe begati për vitin 2017. Ky vit do të jetë i pasur me ngjarje shumë të rëndësishme. Pikërisht, Presidenca e Republikës franceze na ka vënë në dijeni në lidhje me dëshirën e Presidentit François Hollande të vizitojë Shqipërinë gjatë muajit mars. Në këtë kontekst nuk ka akoma asnjë informacion të besueshëm mbi programin e kësaj vizite, i cili do të përcaktohet, kur të vijë koha, mes autoriteteve franceze dhe shqiptare, sipas rregullave protokollare”, citohet njoftimi i ambasadës franceze.

Mediat shqiptare, qe i referoheshin burimeve nga Presidenca shqiptare, raportuan të dielën për vizitën shtetërore në Tiranë të Presidentit Hollande.