Ambasada e SHBA-ve pas vizitës së Grenellit: Kosova e Serbia të punojnë për zgjidhje të shpejtë

10.10.2019 19:30:32

Ambasada Amerikane në Kosovë, ka dhënë detaje rreth vizitës së ambasadorit Richard Grenell, i cili vizitoi dje Kosovën.

Në njoftimin e kësaj ambasade tregohet se Grenell ka zhvilluar takime me krerët e partive politike në Kosovë dhe me presidentin Thaçi, ndërsa në Serbi ai është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, qëllimi i SHBA-ve është për t’i bërë bashkë parnerët në Kosovë dhe Serbi që të gjejnë një zgjidhje në pikat e konfliktit.

“Të dyja palët duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja”.

Ky është njoftimi i plotë:

Në vizitën e tij të parë zyrtare Kosovës dhe Serbisë me 9-10 tetor, ambasadori Richard Grenell u takua në Prishtinë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, si dhe me udhëheqësit e partive politike, duke përfshirë Albin Kurtin, Isa Mustafën, Vjosa Osmanin, Kadri Veselin dhe Ramush Haradinajn, kurse në Beograd u takua me Presidentin a Serbisë, Aleksandar Vuçiqin dhe kryeministren Ana Bërnabiq. Ambasadori Grenell i filloi të dy ditët duke u takuar së pari me udhëheqësit e komunitetit afarist. Administrata e Presidentit Trump fuqimisht beson që zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë dhe rritja e mundësive tregtare luajnë rol kryesor në sigurimin e paqes së qëndrueshme. Qëllimi është për ti bërë bashkë partnerët tanë në Serbi dhe Kosovë për një zgjidhje gjithëpërfshirëse për pikat e konfliktit në rajon. Të dyja palët do të duhet të punojnë ngushtë dhe shpejtë duke shikuar nga e ardhmja. /