Ambasada ruse në Tiranë reagon rreth çështjes së ndryshimit të kufijve

07.08.2018 21:11:19
Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar sot në lidhje me çështjen e ndryshimit të kufijve në Kosovë. Në reagim, është publikuar njoftimi i Ministrisë së Jashtme Ruse i publikuar muajin e kaluar.

Aty thuhet se çështjet për statusin e Kosovës duhet të zgjidhen në bazë të rezolutës 1244 të KS të OKB dhe se Rusia këmbëngul në realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadrin e bisedimeve Beograd-Prishtinë dhe kurrë nuk do të përpiqet të diskutojë këtë çështje pas shpinës së palëve.

Për më tepër, thuhet se nuk duhet të luhet me një tendencë të rrezikshme të tronditjes së marrëdhënieve ruso-amerikane dhe nuk duhen nxitur tensione në Ballkan.

Deklarata e plotë e Ambasadës së Rusisë në Tiranë:

Ngaqë në mediat shqiptare vazhdojnë ende të shfaqen spekulime të ndryshme rreth kësaj teme, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj reagimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, publikuar më 27 korrik:

“U kushtuam vëmendje materialeve të zgjeruara të shfaqura në median ruse bazuar në shkrimin e medias kosovare “Gazeta Express”, në të cilin, referuar “burimeve diplomatike”, pohohet se gjatë samitit Rusi-SHBA të mbajtur në Helsinki më 16 korrik, presidenti i SHBA-ve mbështeti propozimet gjoja të diskutuara, sipas të cilave Beogradi do të njohë pavarësinë e Kosovës, nëse territoret veriore ku jetojnë serbë etnikë do t’i bashkohen Serbisë.

Me shumë përgjegjësi pohojmë se ky është një dezinformim absolut, ashtu si edhe spekulimet e tjera të shfaqura ditët e fundit në shtyp rreth disa “marrëveshjeve të veçanta” të arritura në Helsinki.

Të gjitha çështjet në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës duhet të zgjidhen në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së. Në këtë kontekst, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord për një dialog të drejtpërdrejtë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Rusia mbështet në vazhdimësi procesin e negociatave, këmbëngul në realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadrin e tyre dhe kurrë nuk do të përpiqet të diskutojë këtë çështje pas shpinës së palëve.

I bëjmë thirrje komunitetit mediatik të përmbahet nga spekulimet flagrante për ekzistencën e marrëveshjeve të fshehta të arritura midis Moskës dhe Uashingtonit. Nuk duhet luajtur me një tendencë tepër të rrezikshme të tronditjes së marrëdhënieve ruso-amerikane, nga gjendja e të cilave, në një masë të madhe, varet siguria ndërkombëtare, ashtu si edhe nuk duhen nxitur tensione në një rajon kaq të ndërlikuar siç është Ballkani”.