Ambasadat, apel qytetarëve të tyre: Shmangni sheshin dhe protestën

12.05.2017 22:53:53

Ambasada italiane, nëpërmjet një njoftimi në faqen e saj zyrtare paralajmëron të gjithë qytetarët e saj që janë rezidentë në Shqipëri, që të tregohen sa më të kujdesshëm ditën e shtunë dhe të shmangin lëvizjet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shkak të protestës së opozitës.

“Ditën e shtunë, 13 Maj do të mbahet në Tiranë një protestë e opozitës që nis rreth orës 12:00 në bulevard, në selinë e Kryeministrisë. Rekomandojmë të shmangni zonën ku do të zhvillohet protesta dhe grumbullimet e tjera përgjatë gjithë bulevardit.

Sa për ata që do të marrin pjesë në paradën ‘Gay(P)ride Parade’, që organizohet në një vend aty pranë në të njëjtën ditë, këshillohen që të shmangin çdo kontakt me mitingun e opozitës.

Gjithashtu këshillohen qytetarët që të shmangin qëndrimin përreth çadrës së ngritur nga opozita në bulevard”, njofton ambasada.

Ndërsa në njoftimin e saj, Ambasada e Francës u bën thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë në zhvendosjet e tyre brenda kryeqytetit gjatë ditës së shtunë, me arsyen e një rreziku real për ngjarje të dhunshme. Më e detajuar në ftesën për qytetarët e saj është treguar Ambasada e Holandës.

“Partia më e madhe opozitare në vend ka bërë thirrje për një protestë masive kundër qeverisë në kryeqytetin Tiranë, më 13 maj. Monitoroni mediet lokale dhe ndërkombëtare dhe kujdesuni e merrni të gjitha masat për të shmangur protestat dhe demonstratat politike. Nëqoftëse e keni të mundur, shmagni kalimin në sheshin qëndror të Tiranës, sheshin ‘Skënderbej’, bulevardin, sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe zonën e ish-bllokut. Një paradë e komunitetit LGBT pritet gjithashtu të organizohet të shtunën në qendër të Tiranës. Stafi i Ambasadës së Holandës në Shqipëri ka këshilluar që të shmangen edhe këto ngjarje, sepse në të njëjtën datë do të mbahet edhe protesta e opozitës”.