Ambasadat vlerësojnë të hequrit dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale

08.02.2018 12:31:02

Ambsadat e pesë shteteve të QUIT-it, përkatësisht të SHBA-ve, të Britanisë së Madhe, të Gjermanisë, të Francës dhe të Italisë kanë lëshuar një Deklaratë të përbashkët pas zotimit të drejtuesve të institucioneve të Kosovës se nuk do të bëhet shfuqizimi i Gjykatës Speciale.

“Mirëpresim deklaratat e fundit të udhëheqësve politikë kosovarë ku zotohen se heqin dorë nga përpjekjet për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara. Presim nga udhëheqësit e Kosovës të mbajnë fjalën e tyre kurse nga institucionet e Kosovës presim që ta nderojnë këtë gatishmëri”, thuhet në njoftimin e tyre.

Siç shprehen këto pesë shtete, vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit dhe duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat, Kosova mund ta afirmojë pjekurinë e saj si shtet dhe gatishmërinë për t’u integruar tërësisht në Evropë dhe komunitetin ndërkombëtar.

“Me mbështetjen e Dhomave të Specializuara mundësohet mbështetje e vazhdueshme nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Kosovës tani kur festojmë shumë të arritura në dekadë, që nga pavarësia”, ka përfunduar njoftimi.

Nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka dalë nga organizatat e dala nga UÇK, e është mbështetur nga 43 kuvendarë, dhe ka pasur edhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të drejtuesve të lartë të shtetit.

Kjo çështje ka vënë në vështirësi marrëdhëniet e Kosovës me shtetet aleate, pasi shfuqizimieventual i Gjykatës Speciale është konsderuar një nga dëmet e mëdha që i bëhej shtetit të ri.

Ditëve të fundit, ka pas një tërheqje të Hashim Thaçit nga mbështetja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.