Ambasadorët dynden në terren, Soreca nxehet me gazetarët: Më lini të bëj punën time!

30.06.2019 16:19:41

Ambasadorët e SHBA, BE, OSBE dhe Britanisë kanë dalë në terren ku po monitorojnë procesin e votimeve.

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones, është gjendur këtë mëngjes në shkollën Edit Durham për monitorimin e zgjedhjeve vendore 2019, ambient i cili është kthyer në qendër votimi. Ambasada Amerikane ka nxjerrë stafin e saj për vëzhgim të procesit zgjedhor.

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë,  Luigi Soreca ka qenë i pranishëm si vëzhgues në qendrën e votim nr.32 që është e vendosur në shkollën e Liceut Artistik në Tiranë. Soreca i pyetur nga Report Tv nuk është prononcuar por vetëm ka thënë ‘ më lini të bëjë punën time’. Vëzhguesit e OSBE si dhe vëzhguesit e Bashkimit Europian kanë qenë shumë të vëmendshëm dhe të përqëndruar në procesin e votimit.

Ndërkohë vetë Soreca ka bërë të ditur se mendimin për sa i përket procesit të zgjedhjeve do ta japi ditën e nesërme.  Ndërsa i pyetur nëse do të votonin në kushte të tilla në Itali ai nuk i është përgjigjur. Më pas ambasadori shkoi edhe në Kamzë.

Edhe ambasadori britanik në Shqipëri, Duncan Norman ka qenë i pranishëm në qytetin e Kamzës për të vëzhguar procesin e votimit. Deri më tani në këtë qytet nuk janë shënuar incidente, ndërsa votimi ka qenë i qetë.

Sipas KQZ, deri në orën 11:20 kanë votuar 12%.