Ambasadori amerikan thyen heshtjen: Ka politikanë të lidhur me trafikantët e drogës

23.09.2016 19:30:43

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka folur sot për çështjen kultivimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri.

Gjatë një bashkëbisedimi me studentë të Gazetarisë, i pyetur për situatën në Shqipëri dhe debatin politik të kohëve të fundit, diplomati amerikan ka dhënë këtë përgjigje:

“Pyetja që kam disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës.

Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”,- u shpreh Lu.

Një ditë më parë prestigjozja “The Economist”, në një shkrim të publikuar për çështjen e kultivimit të kanabisit në Shqipëria citonte burime diplomatike në Tiran të thonin se “situata po bëhet shumë serioze dhe shqetësuese”.