Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt: Sa vonohet Demarkacioni aq vonohen vizat

03.10.2017 10:53:56

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka porositur drejtuesit e institucioneve kosovare që sa më shpejt ta përmbyllin Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, si dhe ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Kjo pasi që, sipas tij, sa më shumë vonohet ratifikimi i Marrëveshjes së Kufirit, aq do të vonohet edhe liberalizimi i vizave me BE-në.

Qeveria e re si dhe shumica e re parlamentare duhet sa më shpejt ta përmbyllin çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, pasi që një gjë është e sigurt: Sa më shumë zvarritet ratifikimi i Marrëveshjes, aq gjatë do të duhet të presin qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian (BE-në).

Kështu ka deklaruar ambasadori i ri gjerman në Kosovë, Christian Heldt,  duke shtuar se  njëkohësisht duhet vazhduar edhe lufta ndaj korrupsionit, pasi që, siç ka thënë ai, ofrimi i dëshmive për luftimin e kësaj dukurie negative është po ashtu një kriter i hapur për liberalizimin e vizave

Diplomati i ri gjerman gjatë intervistës së parë për një medie në Kosovë ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ku ka deklaruar se ky i fundit duhet të formohet në përputhje me ligjet e vendit, pasi që ky hap, siç thotë ai, do të duhej ta mundësonte një integrim më të mirë brenda Kosovës.

Heldt po ashtu ka thënë se të ftuarit nga Gjykata Speciale duhet të paraqiten vullnetarisht, ose ftesa e Gjykatës duhet zbatuar nga institucionet kosovare të sigurisë.