Ambasadori i Gjermanisë z. Christian Heldt, shpërndan 18 Diploma C1 dhe bursat bachelor për maturantet Donika Sulaj dhe Erisa Bytyçi të Gjimnazit “Loyola”

28.05.2019 14:49:01

Nga Enver Sulaj

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Heldt, në rezidencën e tij në Prishtinë, dje pasdite ka organizuar pritje të veçantë për nxënësit e Gjimnazit “Loyola”. Ai, me këtë rast 18 nxënësve të Gjimnazit “Loyola” u ka ndarë Diplomat e Gjuhës Gjermane- DSD, ndërkaq tha se fitues të bursave bachelor- DAAD, për të studiuar në Gjermani, sivjet janë nxënëset Donika Sulaj dhe Erisa Bytyçi.

Ambasadori gjerman, z. Heldt, tha se diplomat e gjuhës gjermane do të jenë shumë të dobishme për jetën e ardhshme dhe karrierën e studentëve, sepse Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe se Gjermania do të mbështesë udhëtimin pa viza të qytetarëve kosovarë në Gjermani. Ai, gjithashtu, u kushtoi vëmendje të veçantë fituesve të këtij viti të bursave bachelor DAAD dhe falënderoi z. Häusler, si organizator dhe koordinator i provimeve C1. Në fjalën e rastit, z. Martin Häusler, profesor i Gjimnazit “Loyola” dhe përfaqësues i ZfA-së (Zentralstelle für das Auslandsschulwesen- Zyra Qendrore për shkollimin jashtë vendit), tha se për të arritur një sukses të tillë, nuk është e mjaftueshme vetëm përvetësimi i fjalorit dhe gramatikës, por kjo është bërë me pasion dhe emocione për një kulturë të huaj. Të jesh në gjendje të flasësh gjuhë të huaj, hap jo vetëm dyert, por edhe zemrat. Ndihmon për të ulur paragjykimet e për të ndryshuar perspektivat. Jo më pak e rëndësishme është se ju keni dhënë një kontribut të rëndësishëm për miqësinë gjermano-kosovare dhe bashkëpunimin, tha ai. Urim të veçantë ai pati për për dy bursistet e DAAD-së, Erisa Bytyqi dhe Donika Sulaj, të cilat si kandidate të Kosovës së vogël arritën të kenë sukses në konkurencën globale

Në emër të nxënësve, të pranishmit i përshëndeti Donika Sulaj, e cila tha se se ky është një moment i rëndësishëm, ku kurorëzohet puna e shumë viteve në këtë shkollë, ndërsa bursa e shtetit gjerman tha se do të jetë ndihmesë e jashtëzakonshme për të realizuar ëndrrën për të studiuar në Gjermani dhe për t’u përgatitur profesionalisht për të ardhmen. Ajo falënderoi ambasadorin gjerman, shteti i të cilit vazhdon të mbështesë të rinjtë kosovarë në rrugën e arsimimit, për t’u ndjerë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre evropianë.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe znj. Anna Stege, atashe për kulturë dhe edukim në Ambasadën e Gjermanisë, znj. Ellen Tichy, përfaqësuese e DAAD në Kosovë dhe Neki Jahaj, zv.drejtor i Gjimnazit “Loyola”.