Amerika shuan spekulimet: Për takimin e 4 shtatorit jemi në koordinim të ngushtë me Francën e Gjermaninë

02.09.2020 10:57:31

Gjatë ditës së djeshme është mbajtur një videokonferencë mes gazetarëve dhe personaliteteve të tjera politike, ku në të pjesëmarrës ishte edhe një këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Në këtë videokonferencë temë kyqe ka qenë takimi i 4 shtatorit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Këshilltari i Trumpit është pyetur në lidhje me atë se a kanë qenë SHBA-të të koordinuara me BE-në për ftesën që i është bërë Kosovës dhe Serbisë për takim më 4 shtator, si dhe çështjet e planifikuara për diskuti, pasë parasysh edhe rolin e BE-së në arritjen e një marrëveshjeje mes dy palëve.

I njëjti është përgjigjur se SHBA-të, pavarësisht zërave dhe raportimeve, kanë qenë në kontakt të afërt me Bashkimin Evropian, sidomos me Francën e Gjermaninë.

“Ne kemi qenë në koordinim me BE-në. Ne do të vazhdojmë të koordinohemi me BE-në. Unë e njoh mirë zotin Recker dhe ne jemi në kontakt të afërt me gjermanët. Jemi në koordinim po ashtu me francezët dhe evropianët tjerë. Pra pavarësisht çka thonë mediat, ne kemi punuar ngushtë dhe jemi koordinuar me evropianët, dhe ata e dijnë planin tonë dhe janë mbështetës të planit tonë”, ka thënë ky këshilltar.

Tutje ai ka shtuar se SHBA-të janë në krye të këtij procesi, dhe se ata sipas tij e diktojnë edhe ritmin edhe diskutimin.

“Ne s’jemi shtet anëtar i BE-së dhe s’jemi të involvuar në procese të rëndësishme që BE-ka me palët. Ata e kanë procesin e tyre. Ne jemi mbështetës të miqve tanë në Evropë. Por çka do që bëjmë, ata janë në krye, ata diktojnë ritmin dhe diskutimin”, ka thënë ai.

“Dhe, ju e dini, do të thoja që të gjitha çështjet politike të BE-së, janë në përgjegjësi të BE-së, dhe në bëjmë çka mundemi, kur na kërkohet, që të jemi mbështetës”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia ndryshe takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë takim, pritet të nënshkruhen marrëveshje të rëndësishme ekonomike, teksa Shtëpia e Bardhë nuk ka mohuar se pjesëmarrës aty mund të jetë edhe vet presidenti Trump.