Amerikanët janë pragmatikë dhe vlerësojnë sjelljen, veprimin, e jo servilosjet hipokrite

19.01.2018 14:58:53
DCIM113MEDIA

Nga Rexhep Kastrati

Deklarata fyese e Nasim Haradinajt ndaj ambasadorit të respektuar amerikan, dhe mikut të madh të Kosovës, Greg Delawie është bërë shkas që në rrjete sociale të bëhet një garë se kush po tregohet më proamerikan dhe më pro ambasadorit Delawie.

Në fakt, nga dje, kjo fyerje është bërë minierë politike që u mundëson njerëzve të ndryshëm që të thurin tekste, madje edhe sharje e kërcitje dhëmbësh në përpjekje për të treguar veten secili më pro amerikan se tjetri. Dhe këtu është edhe injoranca, edhe hipokrizia, edhe mjerimi më i madh se të tillët në këtë mënyrë kujtojnë se u hyjnë në hatër ambasadorit Delawie dhe SHBA-ve dhe mund të kenë përkrahjen e amerikane për ndonjë mbështetje politiko-institucionale. Edhe në këtë tallvën politike alla shqiptarçe kujtojnë se në këtë mënyrë futojnë pikë dhe popullaritet. Disa të tjerë shprehen sa për të mos thënë se nuk kanë thënë gjë. Pra, një zallamahi hipokrite, vetëreklamuese, shprehje e një mendësie tribale dhe e injorancës dhe mjerimit personal.

Mirëpo, të këtillët sikur nuk e kuptojnë se as ambasadori Greg Delawie, as SHBA-të nuk ndikohen nga këto farë palaçollëqe dhe recitime e hartime, por në radhë të parë vlerësojnë veprimtarinë dhe sjelljen politiko-institucionale. Amerikanët, edhe në politikëbërje, edhe në filozofinë e tyre janë njerëz pragmatistë që duan veprime, e jo llafe. E edhe ambasadori Greg Delawie, edhe SHBA-të si shtet e njohin profilin politik, por edhe profilin socio-psikologjik të secilit, pra njohin edhe sjelljen e gjithësecilit, njohin edhe lidhjet eventuale të gjithësecilit me struktura të ndryshme edhe të korruptuara, edhe kriminale, edhe mafioze, e që në thelb janë edhe kundëramerikane.

Wiliam James ka vënë në thelbin e filozofisë së tij pikërisht shpirtin dhe frymën e kombit amerikan e që është pragmatizmi, sipas të cilit edhe njihet ky komb: prakticiteti, kurse John Watson e ka ngritur në nivel të torisë psikologjike si biheviorizëm pikërisht sjelljen dhe përvojën. Pra amerikanët edhe në aspektin e filozofisë, edhe në atë psikologjisë i kanë dhënë rëndësi parësore pikërisht praktikës, veprimit, sjelljes, më shumë sesa rezonimeve torizuese.

Pra, edhe ambasadori Delawie, edhe amerikanët, pra edhe Administrata amerikane mund t’i lexojnë, mund t’i dëgjojnë të gjitha retorikat dhe tekstet e ndryshme vardisëse, hipokrite dhe servile që po bëhen si në radhë, por megjithatë më shumë vlerësojnë sjlljen politike, veprimin politik.

E vetmja filozofi politike, i vetmi sistem i të menduarit dhe të vepruarit politik, shtetëror, diplomatik, gjeopolitik, gjeostrategjik e socio-kulturor që në thelbin e saj ka pasur dhe ka aleancën dhe përkatësinë substanciale dhe tërësore me Perëndimin dhe me SHBA-të, është filozofia politike e presidentit Rugova, jo vetëm për atë thënien gjneiale për miqësi të përhershme me SHBA-të, por në gjithë sistemin e saj, në gjithë strukurën dhe thelbin e saj.

Kosova ka nevojë për një amerikanizëm të tillë,  e jo për epoleta, grafite rrjetesh sociale dhe shpërfaqjesh vardisëse dhe hipokrite që bëhen për hipokrizi dhe për t’iu servilosur ambasadorit Greg Delawie dhe SHBA-ve.