Analistët kërkojnë të mbahet debati i kandidatëve për kryeministër

31.05.2017 13:07:22

Analisti Ramush Tahiri,ka thënë se debatet televizive kudo në botë janë kthyer në traditë dhe sipas tij, do të ishte ide e mirë që edhe në Kosovë të funksiononte në këtë mënyrë.

Ai tha se arsyet e kandidatëve për kryeministër për të mos marrë pjesë në debat televiziv janë të pabaza.

“Do duhej të ishte një traditë ngase populli dëshiron t’i shoh kandidatët njëri përball tjetrit dhe të japin vlerësimin e fundit.  Fatkeqësisht tek ne kjo u bë e pamundur. Kandidatët vet s’mund të përballen me njëri – tjetrin dhe të dalin para opinionit duke i ditur konceptet dalluese që i kanë dhe zakonisht japin arsyetime të dorës së dyte a të tretë që nuk qëndrojnë.  Do duhej të kishte një traditë që të ketë dy apo tri debate dhe t’i shpalosin programet e veta  por edhe që qytetarët t’i shohin cilat janë pakot e tri kandidatëve”, ka thënë Tahiri.

Edhe Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se një debat i tre pretendentëve për kryeministër do duhej të ndodhte.

Mushkolaj u shpreh se kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, është ai që nuk po pranon të ketë debate televizive dhe se sipas tij, qytetarët po pësojnë më shumë pasi po iu cenohet e drejta  e informimit të saktë.

“Pavarësisht qëndrimeve individuale, ballafaqimi i argumenteve dhe i platformave qeverisëse  është më se i domosdoshëm për qytetarët. Ramush Haradinaj është ai që nuk  po pranon një debat të tillë mandej në njëfarë forme, duke mos i konsideruar të denjë rivalët e tij. Në këtë mënyrë, qytetarëve po iu cenohet një nga të drejtat themelore të tyre – e drejta për tu informuar saktë dhe drejtë se kush do t’i udhëheq nesër”, tha tutje Mushkolaj.

Ndryshe, ditë më parë kandidati për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj ka anuluar pjesëmarrjen e tij në të gjitha debatet televizive me dy kandidatët e tjerë për kryeministër, Avdullah Hotin e koalicionit LDK-AKR dhe Albin Kurtin e VV-së, me arsyen se  Komisioni i Pavarur i Mediave ndaloi debate televizive politike para se zyrtarisht të fillojë fushata zgjedhore.