Analistët: Lajçak erdhi në Prishtinë pas deklaratave të Kurtit për dialogun

01.03.2021 23:13:01

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron në Prishtinë në kuadër të një vizite treditore.

Analistët politikë thonë se me këtë vizitë Lajçak dëshiron t’i dëgjojë qëndrimet e  liderëve politikë në lidhje me dialogun.

“Lajçak erdhi në Kosovë ende pa u bërë certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve… Lajçak pos Kurtit do të takohet edhe me liderët e partive të tjera për të parë se cili është qëndrimi i tyre rreth vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, e sidomos për të parë qëndrimet e zotit Kurti rreth këtij procesi”, deklaroi për RTV Dukagjinin Jeta Krasniqi nga KDI.

Ndërsa Visar Xhambazi thotë se deklarata e Kurtit për dialogun ka nxitur Lajçakun që të vijë në Prishtinë

“Lajçak erdhi në Kosovë për të marrë garanci nga siç shihet kryeministri në ardhje Albin Kurti pasi që ky i fundit kishte deklaruar se dialogu nuk është ndër prioritetet e qeverisjes së tij. Duke pasur parasysh se Lajçak e ka një mision të veçantë nga BE, ai dëshiron që dialogu të merr një kahje më serioze dhe pragmatike”, deklaroi Visar Xhambazi.

Ndryshe Lajçak është takuar sonte me Kurtin, derisa nesër do të vazhdojë takimet me liderët tjerë politikë e institucional.