Analistët: Në gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi

16.12.2018 16:50:22

Bashkimi Evropian (BE) i ka adresuar dy kërkesa Kosovës, atë për revokimin e vendimit të taksës për produktet serbe si dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë. Mirëpo, analistët vlerësojnë se nuk ka mekanizëm që e detyron Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. Madje, ata janë shprehur skeptikë se mund të ketë dialog mes Kosovës dhe Serbisë në gjashtë muajt e ardhshëm.

Analisti Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk beson që deri në gjashtë muajt e ardhshëm do të ketë dialog, ose heqje të taksës së vendosur nga Qeveria Haradinaj.

Sipas tij, nuk ka mekanizëm që e detyron Kosovën për ta bërë një gjë të tillë.

“Përveç si kërkesë nuk ka mekanizëm që e detyron apo e këshillon Kosovën. Serbia ka kërkuar të hiqet taksa për t’u zhvilluar dialogu por nuk do të bëhet. Nuk besoj që në periudhën e ardhshme gjashtë mujore do të ketë dialog, pasi nuk ka agjendë. Por dhe taksat nuk do të hiqen deri në gjashtë muaj”, ka thënë Tahiri.

Ndëra politologu Musa Preteni, tha për Telegrafin se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë momentum për të marrë pozicionin meritor në tavolinën e bisedimeve.

“Vendimi i Kosovës për taksën konsideroj që ka qenë vendimi i parë si shtet përmes të cilit vendi ynë ka goditur Serbinë brenda duke i shkaktuar vështirësi të brendshme. Kosova ka zgjedhur të përdor, si kundërpërgjigje ndaj agresionit të Serbisë që po e bën ndaj vendit tonë dhe kjo është forma e duhur për presion politik. Kosova duhet ta shfrytëzoj këtë momentum të krijuar për të marrë pozicionin meritor në tavolinën e bisedimeve. Kërkesa e BE për heqjen e taksës dhe vazhdimin e dialogut konsideroj që shkon në frymën e organizmit të saj e cila përbëhet nga shumë shtete që kanë qëndrime të ndryshme ndaj Kosovës, ashtu siç ishte edhe në raport me ushtrinë por që sërish u formua para dy dite”, u shpreh Preteni.

Ndryshe, Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar ndonjë datë për takimin e radhës së liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, por para se të ndodhë një takim i tillë kërkon heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Ndërkohë, kuvendi i Kosovës të shtunën ka miratuar një Rezolutë të propozuar nga Partia Socialdemokrate, lidhur me fazën finale të dialogut me Serbinë. Në rezolutën e miratuar është përfshirë edhe delegacioni shtetëror  p⌂r bisedime, që lë të kuptohet se ky proces më nuk do të jetë vetëm në duart e presidentit Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të shtunën ka paralajmëruar se në mbledhjen e radhës së Qeverisë, do t’ia prezantojë Kabinetit Qeveritar, draft-librin e madh me kapituj, një bazë e fortë institucionale për një marrëveshje gjithëpërfshirëse legalisht obligative me Serbinë.

Pas miratimit të Rezolutës për dialog nga Kuvendi i Kosovës, ka reaguar Presidenti serb, Aleksandar Vuçiql i cili ka thënë se nuk është i mahnitur me rezolutën të cilën e ka miratuar Parlamenti i Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve, duke vlerësuar se Prishtina në esencë dëshiron t’ia mbyllë dyert çdo lloj dialogu me Beogradin.