Analistët: Përplasjet brenda koalicionit dhe mocioni i VV-së nuk e rrezikojnë Qeverinë Hoti

15.08.2020 15:03:16

Edhe pse ka mbi një muaj që kur kanë filluar përplasjet brenda partnerëve të Qeverisë Hoti, bashkëqeverisja mes tyre pritet të vazhdojë. Mospajtimet e ndërsjella në ekzekutiv vet partitë në qeveri nuk i shohin si të domosdoshme për prishje të koalicionit, derisa nuk e shohin të rrezikshme as iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje për mocionin e mosbesimit. Të gjitha këto nuk i shohin si serioze për rrëzimin e Qeverisë Hoti as njohësit politikë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj thotë për KosovaPress se deri më tani kanë bashkëpunim të mirë me kreun e qeverisë, Avdullah Hoti.

“Ne deri më tani kemi një bashkëpunim të mirë, deri në momentin nuk kemi një mospajtim të madh. Në momentin që ne nuk i besojmë partnerit tonë qeverisës, ashtu siç ia kemi dhënë me votë besimin, ashtu do të mund t’ia marrim, me votë dhe jo deklarime”, thotë ajo.

E përplasjet ndërmjet partnerëve qeverisës, analisti politik, Fitim Salihu i sheh si një lojë dhe tendencë për të ribalancuar koalicionin qeverisës.

“Fillimisht ka mundur të jetë e rrezikshme, por kur fillon e kalon një kohë e gjatë, bëhet më shumë se një muaj i përplasjeve dhe nuk ka hapa në drejtim të prishjes së qeverisë nga asnjëra nga paritë partnere të koalicionit kjo duket më shumë si një lojë. Një tendencë për të ribalancuar koalicionin qeveritar, secila për të marrë secili që ka aktualisht duke pretenduar që ka marrë më pak se sa meriton sesa një orvatje serioze”, thotë ai.

Kurse, analisti tjetër politik, Krenar Shala thotë se dallimet ndërmjet partnerëve tregojnë mos kohezionin e brendshëm qeverisës.

“Kjo tregon kohezionin e brendshëm të qeverisë. Kjo tregon se kjo qeveri është e zorit dhe si rezultat i frikës nga qeverisja e mirë. Mendoj që qeverisja e mirë i ka frikësuara këto partitë e vjetra”, u shpreh Shala.

Lëvizja Vetëvendosje në fillim të muajit gusht paraqiti iniciativën për fillimin e nënshkrimeve për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti. E si arsye për këtë ishte edhe përplasjet ndërmjet vet partnerëve qeverisës, LDK-së dhe AAK-së.