Analistët të ndarë rreth asaj nëse Kosova duhet të krijojë Tribunalin për krimet serbe

14.05.2019 20:15:46

Kryesia e Kuvendit ka proceduar në Kuvend rezolutën për krijimin e një Tribunali për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë. Kjo rezolutë pritet të votohet të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës. Por, njohësit e çështjeve politike në vend, kanë dhënë mendime të ndryshme për krijimin e këtij Tribunali.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Kosova ka të drejtë të krijojë një Gjykatë të vetën, për t’i dënuar krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës.

Sipas tij, deri më tani nuk janë proceduar rastet dhe Kosova nuk është e kënaqur me atë që është bërë sa i përket krimeve.

“Më parë Kosova ka krijuar një Gjykatë Speciale vetëm për krimet e pretenduara nga pjesëtarët e UÇK-së, apo një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila i heton pretendimet e raportit të Dick Marty-t. Ndërsa nuk e ka një Gjykatë për krimet që kanë ndodhur në Kosovë, që do t’i gjykonte këto krime. Tani e ka kuptuar dikush në Kosovë që duhet ta kemi një Gjykatë për krejt krimet në Kosovë, ani që e kanë miratuar një Gjykatë Speciale në atë kohë në Kuvend të Kosovës, vetëm të kish ndërruar titulli, nuk do të ishte për krimet që i ka bërë UÇK, por të ishte për krejt krimet që kanë ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se dikush mund të frikësohet prej Gjykatës, por sipas tij krimet nuk vjetrohen.

“Asnjë krim nuk vjetrohet dhe kurdo që të krijohet Gjykata, edhe tani që po krijohet ose më vonë, është e drejt që kriminelët të përballen me drejtësi. Tani supozimet se këta që po duan ta bëjnë Gjykatën frikësohen se do të shkojnë vetë, e po duan ta bëjnë edhe një gjykatë edhe për serbët, është vetëm një supozim. Kjo sepse Kuvendi duhet ta miratojë rezolutën, t’i nisë procedurat për ndryshim të ligjit, dhe ta krijojë Gjykatën Speciale si një dhomë të veçantë pranë sistemit gjyqësor. Pa marrë parasysh kush çka mendon, kjo është mirë, dhe është e drejtë që askush të mos mbetet i pa ndëshkuar për krimet që ka bërë”, është shprehur Tahiti, për Telegrafin.

Mirëpo, njësoj si Tahiri nuk mendon analisti Belul Beqaj, i cili thotë se Tribunali Ndërkombëtarë për krime të luftës të forcave serbe është përpjekje për të baraz-peshuar dënimet me Gjykatën Ndërkombëtare Speciale të Hagës.

Në një deklaratë dhënë Telegrafit, Beqaj ka thënë se ky Tribunal si i tillë është i parealizueshëm.

“Jo, pse s’ka fakte, por sepse këto fakte kanë qenë arsye e intervenimit ushtarak ndërkombëtarë ndaj Serbisë. Prandaj, krijimi Tribunalit është alibi për dështimet e politikbërësve, që për një kohë rekorde gjetën burimet dhe mënyrat e pasurimit. Ndërsa pas njëzet vjetëve u kujtuan për të ndjekur penalisht vrasësit për gjenocid ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai.

Beqaj përmendi edhe një arsye tjetër që ndikon në krijimin e Tribunalit. Ai theksoi se tani që jemi para përvjetorëve të qindra masakrave, të cilat sipas tij në formë direkte dhe indirekte fajësojnë politikëbërësit shqiptarë, që sipas tij i kanë injoruar viktimat dhe i kanë lënë në harresë vrasësit.

“Po ashtu Tribunali po bëhet si pasojë e heshtjes njëzet vjeçare për masakrat, dhe kjo heshtje e ka inkurajuar politikën serbe për t’i mohuar ato. Ndërsa lidershipi shqiptar po i përdor për zgjedhje të mundshme. Pastaj, Tribunali, nuk do të realizohet edhe për faktin se nismën e kanë shpërfaqë dhe mbështet, para se gjithash , ata që potencialisht janë objekt të Gjykatës ndërkombëtare speciale të Hagës”, ka thënë ai.

Ndërsa, analisti Tahiri ka thënë se kjo Gjykatë mund të ketë ndikim edhe në dialog.

“As Serbia as Kosova dialogun nuk e kanë nisur me qëllim të mirë. Kosova ka qenë e obliguar, sepse ka marrë oferta për integrime evropiane. Dialog të detyrueshëm nuk mund të ketë, dhe Serbia e ka lëshuar takimin shumë herë në Bruksel. Kosova për të parën herë që nga taksa që është vendosur ka filluar të sillet si partnerë para Bashkësisë Ndërkombëtare dhe para Serbisë. Në kushte normale gjykatat janë të pavarura nga politika dhe nuk ndikojnë në dialog. Ndërsa në këto kushte siç jemi, Serbia po e ndal dialogun për një taksë që nuk i bënë shumë dëm, e normalisht që do ta ndërprejë nëse krijohet kjo gjykatë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se Kosova do të duhej ta nxjerrë një rezolutë edhe në Këshillin Evropian që të vë drejtësi për viktimat e humbura.

“Tani a do të bëhet edhe një Gjykatë Ndërkombëtare siç është bërë, kjo varet nga Kosova a e nxjerr raportin në Këshillin Evropian dhe ata e detyrojnë Gjykatën Ndërkombëtare. Mirëpo a mundet Kosova ta nxjerr edhe një rezolutë në Këshillin evropian apo në Parlamentin Evropian, gjë e cila do të ishte e mirë. Mirëpo nuk besoj që mundet sepse nuk ka kapacitete. Do të ishte e mirë të nisej si procedurë, sepse për viktimat do të ishte një lloj shpagese apo vënie e drejtësisë”, ka deklaruar Tahiri.

Ndërkaq, Beqaj thotë se aktualizimi i Tribunalit të gjenocidit e riaktualizon ndarjen dhe e problematizon vazhdimin e dialogut.

“Përkundrazi,e ringjallë idenë e ndarjes mes “shqiptarëve dhe serbëve”, ngase nuk po implementohet shpikja e Komisionit të pajtimit dhe të vërtetës, të Thaçit, por ideja e ndarjes, duke riaktualizuar ngjarjet më emocionuese të masakrave. Mund të kthehet në Tryezë të dialogut”, ka thënë Beqaj.

Krijimi i një Tribunali për krimet serbe të ndodhura në Kosovë është iniciativën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.