Ancelotti s’e fsheh: Po, dua “tripletën” me Bayern Muncih!

06.04.2017 10:40:41

“Po mendojmë për tripletën, duhet të përpiqemi ta bëjmë realitet atë. Janë pak detaje, që e bëjnë dallimin në kësi rastesh: një dëmtim, apo një gabim i gjyqtarit. Po kalojmë një moment mjaft pozitiv, të cilin duhet ta mbajmë për aq kohë sa të jetë e mundur.” Kështu shprehet Carlo Ancelotti, që e sheh veten 10 pikë para vendit të dytë në renditjen e Bundesligës, me titull pothuajse të fituar. Trajneri i njohur italian nuk i fsheh ëndrrat e lavdisë në Mynih, teksa foli ekskluzivisht për mikrofonat e “Fox Sports”: “Ndjehem shumë i përfshirë në këtë mjedis të bukur, në këtë klub të mrekullueshëm, në këtë qytet të bukur. Bayern Munich është një klub fantastik.

Në nëntë muajt e parë këtu, e kam gjetur veten shumë mirë. Kam gjetur trashëgiminë e Guardiolës, lojës së tij, filozofisë së tij, e cila nuk është edhe aq e ndryshme nga e imja. Kam gjetur një ekip shumë të përgatitur. Po përpiqem të vë në zbatim idetë e mia në këtë sezon dhe në këtë ekip. Lojtarët janë shumë profesionalë. Për të ndryshuar diçka në një realitet si ky, tejet pozitiv, nuk është e lehtë. Intensiteti i lojës këtu është shumë i lartë. Bayern Muncih bën dallimin me cilësinë e lojtarëve. Në qoftë se duhet të bëj një krahasim me ligën spanjolle, këtu intensiteti është i lartë dhe cilësia e ndryshme. Edhe këtu ka shumë të rinj cilësor. Brezi i lojtarëve të rinj gjermanë është shumë i fortë.

Neuer është gati i pagabueshëm, shumë serioze, shumë profesional në çdo gjë që bën. Një djalë “funny”, që flet pak. Mueller është djali më hokatar që kemi. Me shakatë dhe karakterin e tij na ka ndihmuar edhe në kohë të vështira. Është një sulmues i plotë, me një lëvizje të madhe pa top. Çfarëdo që i kërkoni të bëjë në fushë, është e natyrshme për të. Lewandowski është një qendërsulmues klasik, i fuqishëm, me një efikasitet të lartë finalizimi. Sulmuesi më i madh në botë, për momentin. Kandidat për “Topin e Artë”. Suksesi i tij personal është i lidhur me suksesin e ekipit. Bundesliga ka një atmosferë fantastike, me stadiumet që janë gjithmonë plot. Në Gjermani ekziston një atmosferë e madhe.”