Andin Hoti: Kurti kishte ikur nga flamuri kombëtar kur duhej ta mbronte

24.08.2017 14:53:42

Deputeti nga radhët e koalicionit PAN, Andin Hoti ka thënë se nuk është e lavdishmë që flamuri kombëtar të përdoret si kartëmonedhë politike.

Sipas tij, Albin Kurti i Vetëvendosjes flamurin kombëtar e ka trajtuar gjithmonë si të tillë.

“Albin Kurti kishte ikur nga flamuri kombëtar kur duhej ta mbronte atë, ndërsa tani e mban në xhep për ta përdorur sa herë t’i duhet për kalkulimet e tij politike”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Postimi i plotë:

ABUZIMI ME FLAMURIN KUQ E ZI

Flamuri kombëtar është simboli më i shenjtë i historisë tonë të lavdishme dhe nuk është e lavdishme që ai të përdoret si kartëmonedhë politike.

Albin Kurti e ka trajtuar gjithmonë si të tillë flamurin, duke manipuluar me ndjenjat e qytetarëve.

Flamuri mbrohet deri në flijim kur është në rrezik, kurse në liri dashuria dhe respekti për të manifestohet me angazhim dhe përkushtim ndaj interesave të vendit.

Albin Kurti kishte ikur nga flamuri kombëtar kur duhej ta mbronte atë, ndërsa tani e mban në xhep për ta përdorur sa herë t’i duhet për kalkulimet e tij politike.

Albin Kurti kishte refuzuar të merrte armën për ta mbrojtur vendin dhe flamurin, ndërsa sot krekoset paturpësisht, duke keqpërdorur procesin politik nëpër të cilin po kalojmë.

Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të zgjedhurit e popullit, sidomos ata që po e keqpërdorin flamurin kombëtar për spektakël mediatik, duhet ta dinë se Republika e Kosovës nuk është themeluar për inat të të tjerëve, siç ka thënë Babai im.