Aneksimi i veriut të Kosovës nga Serbia si mundësi, dhe si mënyrë për të imponuar një “Republika Srpska” në Kosovë?

11.05.2018 16:09:55

Nga Rexhep Kastrati

Kryetari i Partisë Liberal-Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, i cili ka një qëndrim properëndimor për pavarësinë e Kosovës, gjatë vizitës së tij në Prishtinë, përveç tjerash përcolli mesazhin sipas të cilit Serbia do veriun e Kosovës si shkëmbim për njohjen e pavarësisë së saj.
 
Edhe pse si lajm, ky nuk është lajm i ri, pasi që aneksimin e veriut, Serbia e ka theksuar vazhdimisht gjatë viteve të pasluftës, kurse më herët, pra gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar e ka pasur të qartë planin për ndarjen e Kosovës, megjithatë i përsëritur në kontekst të debateve për përfundimin e negociatave në Bruksel, merr peshë për shkak se mund të jetë kryetema që do të mund të sillte përfundimin e këtyre negociatave.

Në fakt, dallimi ndërmjet aneksimit të veriut dhe ndarjes së Kosovës, është më shumë e natyrës terminologjike dhe taktike, pasi që përsëri bëhet fjalë për ndarje, por është kamufluar me shkëmbim territoresh. Dhe si shkëmbim territoresh, Hashim Thaçi e ka paralajmëruar që nga paslufta, dhe konsiston në aneksimin e veriut nga ana e Serbisë, dhe kalimi i Preshevës në Kosovë.

Opcioni i shkëmbimit të territoreve është një opcion që ka mbështetje jo vetëm nga linja e Tiranës/Kretës, që e ka pohuar më shumë se një herë, por edhe brenda LDK-së, e që është shpërfaqur nga ana e Lutfi Hazirit.

Shkëmbimi i territoreve, ndërkaq ka konsekuenca rajonale dhe cenon edhe parimet e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Grupit të Kontatktik për Kosovën, si dhe rregullimin jurdiko-kushtetues jo vetëm të Kosovës, por edhe të Bosnjes dhe të shteteve të tjera të dala nga ish-Jugosllavia.

Në aspektin e rregullimit jurdiko-kushtetues të Kosovës, asnjë institucion nuk mund të negociojë shkëmbimin e territoreve, pasi që këtë e ndalon qartësisht kushtetuta e Kosovës. Ndërkohë, ka informacione se Hashim Thaçi ka negociuar me Vuçiqin mundësinë e shkëmbimit të terrotireve në një takim sekret të mbajtur në Paris para pak kohësh.

Brenda bashkësisë ndërkombëtare ka qëndrime të ndryshme, edhe pse zyrtarisht mbështetet integriteti territorial i Kosovës dhe parimet e mosndryshimit të kufijve në rajon.

Mundësia e vetme për ndryshim të kufijve të Kosovës, e pra edhe të rajonit është vetëm nëpërmjet destabilizimit të Kosovës, e që do të thotë edhe të rajonit, kurse mundësia që një marrëveshje e re ndërkombëtare, e cila nuk do t’i nënstrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së saj, do të ishte përsëri mundësi për destabilizim rajonal për shkak të efektit zinxhir që do të kishte.

Në fakt, Serbia, Rusia dhe aleatët e tyre kanë bërë gjatë viteve gjithçka për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin dhe për të përligjur skenarë ukrainas, por deri më tash janë shmangur me shumë vështirësi.

Prandaj gjithë vëmendja duhet të përqendrohet te shmangia e synimeve destabilizuese, por edhe rënia në kurthin taktik për të imponuar një “Republika Srpska” në Kosovë si kompromis ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas të cilës mund të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ose mosbllokimi i anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare, pra edhe në OKB.

Siç kam thënë edhe herë të tjera, edhe platforma pesëpikëshe e Kadri Veselit, duket se ka pikërisht këtë qëllim.