Ankohet Valdete Daka, thotë se iu bë padrejtësi për kreun e Gjykatës Suprem

16.03.2017 00:05:16

Valdete Daka, që ka kandiduar për postin e kreut të Gjykatës Supreme, në Ballë për Ballë të  ka thënë se beson që iu bë padrejtësi.

Ajo ka deklaruar se e ka pasur shumicën e thjeshtë të votave për të marrë drejtimin e Supremes

Pas ankesës në Këshillin Gjyqësor që ka thënë se nuk i është marrë parasysh, ajo është shprehur se do të dorëzojë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të marrë një vendim final.

“Konsideroj se më është bërë padrejtësi. Është bërë shkelje e të drejtave të mia. Ndaj nesër do të dorëzoj kërkesë në Kushtetuese. Në konkursin për kryetar të Gjykatës Supreme kemi kandiduar katër gjyqtarë. Nga intervista kam dalë unë e para – me pikë. Rregullorja e parasheh se ai që del i pari votohet nga Këshilli Gjyqësor, që nëse nuk fiton shumicën e thjeshtë të votave, procedohet me të tjerët. Pas votimit unë kam pasur shumicën e thjeshtë të votave. Të gjithë ata që dinë pak nga numërimi e kuptojnë këtë gjë. Unë besoj që nuk e kanë pasur të qartë rregulloren, ku sqarohet kjo çështje. Kam konsideruar se Këshilli mund ta përmirësojë këtë vendim, por sic duket ata nuk kanë menduar ashtu. Ndaj unë do të procedoj tutje. Nëse Gjykata Kushtetuese thotë se unë nuk kam të drejtë normalisht se do ta respektoj atë vendim. Por unë jam e bindur se e drejta është me mua”.