Anulohet vendimi për dënimin e gjeneralit kroat, reagon Ivica Daçiq

29.07.2016 10:10:12

Gjykata supreme e Kroacisë e ka hedhur poshtë vendimin kundër një ish-deputeti i dënuar për krime kundër civilëve serbë duke urdhëruar përsëritjen e procesit gjyqësor.

Branimir Glavas ishte dënuar në vitin 2010 me tetë vjet burg për rolin e tij në vrasjen e serbëve gjatë luftës së viteve të ’90 në ish Jugosllavi.

Por, vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e kishte anuluar verdiktin për shkaqe proceduriale dhe kishte urdhëruar Gjykatën Supreme që ta rishikonte rastin, duke çuar drejt vendimit për anulimin e dënimit dhe ripërsëritjen e procesit.

Glavas, ish-gjeneral dhe deputet i të djathtës ekstreme, ka deklaruar se ai është shfajësuar nga vendimi i gjykatës. Ai ka qenë politikani më i lartë kroat që është dënuar ndonjëherë për krime lufte të konfliktit nga viti 1991 – 1995.

Shtetasi i Bosnjes, Glavas, ishte shpallur fajtor për kidnapim, tortura dhe vrasje të së paku 10 serbëve në qytetin lindor kroat, Osijek më 1991.

Vendimi i gjykatës ka nxitur reagimin e ashpër në Serbi, njofton Radio Europa e Lirë.

“Mesazhi i këtij vendimi të paturpshëm është se krimet e padënuara ndaj serbëve janë normale dhe të lejueshme”, ka thënë ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.