Apeli i FSHF për TKZ: Kombëtarja ka nevojë për ju

16.11.2016 18:16:04

Federata Shqiptare e Futbollit iu drejtua me një letër të hapur “Tifozëve Kuq e Zi” pas vendimit të këtyre të fundit për të bojkotuar ndeshjet si vendas të kombëtares shqiptare. FSHF thotë se e ka pritur me shqetësim vendimin e tifozëve, pasi do të thotë humbjen e një aleati të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm dhe “lojtarin e 12” të kombëtares.

“Federata i bën thirrje grupimit TKZ, që të ndryshojë qëndrimin që ka në lidhje me këtë vendim. Me një gjykim më gjakftohtë dhe dashamirës, duhet të rikthehen në stadium, në vendin që i takon. Duke i lënë mënjanë mëritë dhe qejfmbetjet. Duke kapërcyer mbi to. Duke u bërë të gjithë, më të gjerë. Dhe duke menduar për qëllimin tonë të madh: Të jemi një suport i rëndësishëm për skuadrën tonë të dashur, e cila na ka bërë shpesh të lumtur dhe krenarë me paraqitjet e saj”, thuhet në letër.

FSHF thotë se sfida ndaj Izraelit kishte specifikat e saj nga pikëpamja organizative, për çfarë u desh një punë kolosale nga ana e saj për të organizuar një ndeshje sipas standardeve të UEFA-s.

“Për hir të ndryshimit të qytetit dhe stadiumit ku do të zhvillohej ndeshja, u desh të kryenim, një punë kolosale, në kushte realisht të vështira. Konvertimi në një kohë rekord, i biletave të programuara për në stadiumin e Shkodrës, ishte një aksion që vështirë se një organizëm tjetër, mund ta realizonte. Në kushtet e krijuara, edhe ne ndeshëm shumë vështirësi, për të realizuar organizimin e një ndeshjeje model, sipas standarteve të UEFA-s”, vijon letra.

Institucioni më i lartë i futbollit shqiptar nuk lë pa përmendur edhe sakrificën e madhe të tifozëve, të cilët sipas tyre, nuk u trajtuan si qytetarë dhe brenda kufijve ligjorë.

“Tifozët, gjithashtu sakrifikuan jashtëzakonisht. Ata ndryshuan axhendën, planet e tyre dhe programet që kishin përgatitur. Dhe sigurisht, kjo kishte kosto si fizike ashtu edhe financiare për ta. Për fat të keq, kjo sakrificë që tifozeria bëri, nuk u shpërblye. Ata, kanë dhënë gjithçka për skuadrën kombëtare gjatë kësaj periudhe dhe për këtë meritonin një trajtim më qytetar, brenda kufijve ligjorë. Ne besojmë se këto kanë qenë edhe udhëzimet e drejtuesve të policisë së shtetit por në terren gjërat janë deformuar dhe për këtë ndjejmë keqardhje”, vijon letra.

Pavarësisht kësaj, Federata kërkon më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim me grupet e tifozërive.

“E përsërisim se mbështetja e tifozëve, është shumë e rëndësishme, për ekipin kombëtar dhe futbollin shqiptar. Për këtë arsye ju duam të gjithëve. Të jeni në stadium, për të mbështetur kombëtaren. Siç ka ndodhur, në mënyrë spektakolare deri më tani”, përfundon letra e FSHF-së.