Apeli kthen në rigjykim disa nga pikat e akuzës në rastin Tolaj dhe të tjerët

17.01.2017 16:05:16

Gjykata e Apelit ka lëshuar një komunikatë për media me anë të së cilës njofton se në shtatorin e vitit që shkoi një kolegj i kësaj gjykate ka miratuar pjesërisht ankesat e Prokuroisë Speciale në lëndën e Ilir Tolajt, Arbenita Pajazitit, Hajrullah Fejzës, Bujar Bukoshit si dhe tre personave tjerë I.H., Z.K. dhe B.F.

“Ankesa e parashtruar nga PSRK është miratuar pjesërisht. Ankesa e parashtruar nga avokati mbrojtës në emër të H.F. është refuzuar si e pabazë. Ankesa e parashtruar nga avokati mbrojtës në emër të I.T. pjesërisht është refuzuar si e pabazë dhe pjesërisht është shpallur si jo relevante. Ankesa e parashtruar nga avokati mbrojtës në emër të A.P është shpallur si jo relevante”, thuhet në komunikatë.

Aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 19 korrik 2013, lidhur me disa pikat e akuzës është anuluar dhe është kthyer për rigjykim, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 19 korrik 2013 sa i përket pikave të tjera të akuzës është vërtetuar.

Lënda penale ka të bëj me procesin e tenderimit të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë në vitin 2007 si dhe 2010-2011.

Në shkallën e parë Ilir Tolaj ishte shpallur fajtor ndërsa Bujar Bukoshi ishte liruar nga akuzat.