‘Apokalipsi’ në Hasanbeg

13.08.2016 19:30:52

Varre të reja, shtëpi të shembura, kafshë të ngordhura, kundërmimi që të mbyt frymën, balta që ka mbuluar tokën dhe qëndron ende aty si vulë e një “cunami” në mes të Ballkanit, është pamja pas vërshimeve në fshatin Hasanbeg të Maqedonisë.

Me duar dhe këmbë të zhytur mes baltës që kanë lënë pas vërshimet, banorët e këtij fshati po mundohen të kthejnë normalitetin e jetesës, duke pastruar shtëpitë nga balta, pasi pak ditë më parë varrosën të afërmit që u mbytën nga vërshimet e ujit.

22 viktimat e kësaj katastrofe natyrore, shqiptarë e maqedonas, disa edhe kosovarë që po udhëtonin drejt shtetit perëndimor, ku jetonin pas kthimit nga pushimi në Kosovë, kanë lënë pas kujtime të hidhura te të gjallët e kësaj tragjedie, të cilët luftuan rreth tetë orë për t’i shpëtuar mbytjes, por shumë pak patën mundësi t’iu përgjigjen kërkesave për ndihmë të të tjerëve që uji i rrëmbente.

Këta banorë tani po rrezikohen nga infeksionet, e ankohen për mospërkrahje për t’u kthyer në shtëpitë e tyre prej nga ikën në mëngjesin e së dielës.

Madje, ata thonë se edhe kufomat e njerëzve i nxorën dhe i identifikuan, e po ashtu i varrosën vetë.

Ndonëse policia maqedonase nuk lejon hyrjen e veturave në Hasanbeg, ku ka vendosur dhe një punkt në hyrje të fshatit, si dhe apelin që fëmijët dhe pleqtë të tërhiqen për shkak të rrezikimit nga ndonjë epidemi, fëmijët kanë veshur mëngët dhe janë futur këmbë e duar mes baltës për të ndihmuar prindërit të pastrojnë shtëpitë. Banorët shihen me maska teksa enden nëpër fshat.

Banorët e Hasanbegut janë strehuar te farefisi, kurse ndihma e vetme që po marrin janë disa ushqime dhe ujë të pijshëm.

Ndërmjet dhimbjes dhe mospërkrahjes

Shi dhe breshër, e pastaj vërshime të ujit rreth orës 19:00 të së shtunës (6 gusht) sollën tragjedinë në Hasanbeg. Muharrem Abdylazizi ka humbur nënën Muharreme, e cila është varrosur të dielën. Derisa po e dërgonin atë te djali tjetër ku uji nuk kishte depërtuar ende te shtëpitë, vërshimet rrëmbyen veturën bashkë me plakën 79-vjeçare, duke e hedhur te objekti i bashkësisë lokale. Dymbëdhjetë anëtarët tjerë të familjes do të arrijnë të shpëtojnë pasi ngjiten në katin e lartë të shtëpisë së fqinjit, por deri aty “lufta” me ujin, ai rrëfen se ishte një ankth, teksa dëgjonte të afërmit sesi qëllonin dritaret dhe muret e shtëpisë duke kërkuar ndihmë. Ai thotë se familja e tij nuk mund të jetë si më parë, por tash për tash thekson se askush nuk iu ka ardhur në vizitë nga institucionet e shtetit, e as partitë shqiptare. “Nuk erdhën së paku të na thonë o shqiptarë a jeni gjallë, hiç më shumë. Te pjesa maqedonase dhe me anije kanë ndihmuar, kurse te ne, populli kemi ndihmuar njëri-tjetrin, e vetë kemi nxjerrë të gjallë e të vdekur nga rrënojat”, thotë ai, duke përdorur një shprehje të vjetër për të përshkruar situatën, se filluan të duken ushtarë e policë “dikur pas darke”, pra, sipas tij, atëherë kur pushoi stuhia.

“Pak ujë na kanë sjellë, dy shishe qumësht, dy bukë sa me mbajt shpirtin…”, thotë ai teksa tregon se ka mbetur vetëm në rrobat e trupit, kurse familja po strehohet te farefisi. Ai thotë se madje disa ndihma që janë shpërndarë nuk i kanë marrë nevojtarët, të prekurit nga stuhia, por ata që nuk kishin nevojë.

Ndihen të diskriminuar

Abdylhamit Abazi nga fshati Hasanbeg tregon se më 6 gusht rreth orës 19:15, stuhia e fuqishme goditi fshatin duke stërmbushur shtëpitë me ujë. Ai tregon se pasi shpëtuan fëmijët dhe u ngjitën në katin e lartë të shtëpisë, tentuan t’i japin ndihmë të tjerëve që furtuna i bartte në vetura, kamionë… “E shihje njeriun shumë afër dhe nuk mund t’i afroheshe ta ndihmoje nga uji i madh. Ishte një errësirë e papërshkruar atë natë, vetëm kur binin vetëtima mund të shihje”. Pas vërshimeve ai tregon se u gjetën katër anëtarë të familjes nga Kosova të mbytur dhe të sjellë afër liqenit të Smilovicës.

Abazi ka shtruar vajzën e tij tremuajshe në spital, pasi iu shfaq temperaturë e lartë, barkqitje e ngërçe. Në Spital ai thotë se i thanë që ka infeksion, por bën të ditur se infeksionet kanë prekur dhe banorë të tjerë të fshatit të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Sipas tij, institucionet kanë bërë thirrje të tërhiqen fëmijët dhe pleqtë nga fshati se mund t’u ekspozohen sëmundjeve si pasojë e ngordhjes së kafshëve. “Banorët janë larguar nga fshati, por ditën vijnë të pastrojnë shtëpitë e tyre”, thotë ai, duke bërë të ditur se ka shumë kafshë të ngordhura nëpër kanale që nuk janë larguar nga aty. Ai ankohet se kanë shumë pak mbrojtje me mjete higjienike dhe veshmbathje që do t’i mbronin nga prekja e baltës dhe gjësendeve tjera nga pastrimi i shtëpive. Ju mungojnë dhe çizmet. “Nga një detergjent për shtëpi na ka ardhur”, thotë Abazi, duke treguar se Kryqi i Kuq i Maqedonisë është vendosur te shkolla “25 maji” te pjesa maqedonase. “Te ne nuk ka pasur Kryq të Kuq, nuk ka ardhur askush të na shohë neve këtu, higjiena është keq, janë paraqitur puçrra ndër lëkurë te fëmijët dhe të moshuar që u japin temperaturë të lartë në trup”. Abazi thotë se deri dy ditë kanë qëndruar të izoluar disa banorë pa ndihmë, pa ushqim, pa asgjë. “Ushtria ka dalë sot për herë të parë në ndihmë…”, thotë ai duke kërkuar strehim në shatorë, apo vendbanime të vogla. Ai apelon që të ndihmohen familjet në rrezik dhe ndihmat të shkojnë në destinacionin e duhur.

Abazi akuzon përfaqësuesit e partive shqiptare që, sipas tij, nuk janë dukur në fshat fare. “Ka qenë vetëm Zoran Zaev nga opozita që ka ndihmuar nëpër shtëpi madje me ekipet e veta”. Abazi tregon se partitë shqiptare organizojnë manifestime, shpërndajnë ndihma ushqimore vetëm në kohë fushatash. “Më nuk do të kenë votë nga ne, jemi të diskriminuar”.

Rreziku nga infeksionet

Dilaver Arifi derdh lot e ofshan teksa rrëfen sesi arriti të shpëtonte familjen e tij pesanëtarëshe që u prek nga vërshimet në natën e gjashtë gushtit. Ai flet për tmerrin që përjetoi duke parë fëmijët e tij teksa mbyteshin dhe ai nuk dinte kë të shpëtonte më parë nga tre fëmijët e tij. Babai thotë se ishte i pafuqishëm karshi ujit që shembi dyer e mure, dhe depërtoi deri në shtrat të fëmijëve duke i hedhur nga shtrati në oborr, derisa fëmijët ishin në gjumë. Arifi thotë se niveli i ujit ka arritur deri te tavani i shtëpisë. Ai thotë se me bashkëshorten ka hipur mbi shporet të druve, kurse fëmijët mbi dollapët e rrobave.

“Kemi qëndruar në ujë prej orës 19:00 deri në orën 03:00, kur zbardhi kemi ikur dhe kemi lënë shtëpitë shkret siç është tani. Dikush na ka lëshuar nga një dhomë po jetojmë pesë anëtarë në një dhomë te një baxhanak, pjesa tjetër e familjes jetojnë te motra”, thotë Arifi, duke u ankuar se askush nuk ka trokitur t’i ndihmojë. “S’ka ardhur askush, të pyes a keni ku të fleni, ku të jetoni, askush nuk interesohet. Institucionet nuk kanë dërguar asnjë ekip të na ndihmojë të pastrojmë shtëpinë. Kanë shkuar më shumë kah Stajkovski kah maqedonët”. Ai thotë se po punojnë dhe pa çizme. “Pa çizme po pastrojmë. I sjellin çizmet, kur shkojmë thonë s’kemi, dhe fëmijët janë nëpër baltë”.

Arifi tregon duart që i ka filluar një infeksion, por thotë se është i detyruar të punojë se askush s’po i ndihmon. “Ushtria vijnë kapin dy kauqa, shkojnë të han bukë dhe më nuk vijnë”, thotë Arifi.

Partitë shqiptare i lënë në baltë banorët e Hasanbegut

Isni Abazi, banor tjetër i Hasanbegut, tregon se për shkak të kundërmimit ka dërguar familjen e tij jashtë fshatit, ndërsa po qëndron vetëm me vëllain për të pastruar shtëpinë dhe oborrin nga mbeturinat. Ai thotë se as mobiliet as mjetet (aparatura) e kuzhinës nuk i kanë shpëtuar. Në oborrin e tij po zihen ca enë në një tenxhere të madhe që të pastrohen dhe të përdoren të vetmet që kanë mbetur nga gjësendet tjera të shtëpisë.

Sipas tij, ushtria dhe policia erdhën t’iu ndihmojnë kur panë se vullnetarë nga Kosova kanë ardhur t’iu ndihmojnë në pastrim. Përballë shtëpisë së tij, matanë kanalit ndodhet shtëpia e Mitat Maksutit, e që tani ngjason me një gërmadhë.

Maksuti tregon se shtëpia e tij është bërë e pabanueshme pas stuhisë. “Nuk është më për jetesë, brenda ka baltë dhe asnjë nga orenditë nuk ka shpëtuar…”.

Ai thotë se nga shteti maqedonas nuk ka pasur ndihmë. “Nuk ka ardhur askush të na vizitojë, ushtria sa kaloi aty këtu ndihmojë ndonjë shtëpi, por edhe ushtria ka ardhur në këmbë pa mekanizma, unë nuk kam ku të dërgoj mbeturinat e as me çka”, thotë Maksuti duke akuzuar partitë shqiptare për mosinteresim që t’i përkrahin. “Ju them turp për ta, ata më vota s’kanë prej neve”, thotë Maksuti, duke treguar se ishte vetëm opozitari Zajev që i ndihmoi rreth dy orë të hiqte baltë nga shtëpia, e më pastaj dërgoi dhe ekipet e tij t’iu ndihmonte.