Apostolova: Reforma në Administratën Publike është e dhimbshme, por e domosdoshme

17.06.2019 18:31:14

Lëvizja FOL ka organizuar Forumin “FOL Hapur” me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar me temë diskutimi “Etika në Administratën Publike”.

Apostolova tha se reforma në Administratën Publike është e dhimbshme, por e domosdoshme pasi ajo mund edhe të rrezikojë buxhetin e shtetit nëse nuk bëhet planifikim i duhur.

“Para lansimit të reformës së Administratës Publike në raportet me vendet nga BE-ja lidhur me përparimin e Kosovës drejt BE-së, kishte kritika në raport. Ekziston një sfidë e madhe që duhet të negociosh me Qeverinë, ministrin e MAPL-së, atë të Financave se si t’i qasemi kësaj reforme. Kjo është reformë e dhimbshme sepse Kosova ka një numër të zgjeruar të zyrtarëve publik. Me Ligjin mbi Pagat kemi negociuar për një kohë me Qeverinë dhe në bazë të ekspertizës kemi propozuar sistemin që menduam se ishte i përshtatshëm me Kosovën. Mirëpo pas kësaj ky version shkoi në Kuvend dhe duhet të them se si BE mund të japim këshilla, por nuk kund të imponojmë se si fushat të rregullohen”, tha Apostolova, raporton EO.

“Me reformën e Administratës Publike mëtojmë të kemi një numër të njerëzve të përgatitur me përgjegjësi të lartë që paguhen më mirë se në sektorin privat dhe presim që të punojnë sipas përgjegjësive. Kjo reformë është e dhimbshme, por shumë e nevojshme ndaj dua të përgëzoj ministrin për bashkëpunimin. Duhet ditur se kemi pasur diskutime të thella me ministrin e MF-së sepse kjo reformë ka të bëjë jo vetëm me Administratën Publike, por edhe me buxhetin”.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se Kosova duhet te përgatitet me një Administratë Publike sikur në vendet evropiane.

Ai ka prezantuar masat disiplinore që janë dhënë sipas raportit të vitit 2018.

“Raporti ofron raport për nëpunësit civil. Është e rëndësishme të theksohet që shtatë institucione nuk i kanë përgjigjur kërkesës së MAPL-së për informata. Nga të dhënat gjatë 2018 nivel e lokal janë 82 raste të masave disiplinore ndaj nëpunësve civil për shkelje të masave. 64 raste nga to ishte të rënda ndërsa 18 shkelje të lehta. Gjatë 2018 nga 82 raste ishin 7 femra dhe 75 meshkuj. Në lidhje me nivelin qendror pati 43 raste të nëpunësve civil për shkelje të masave disiplinore, nga to 10 raste të lehta e 33 të rënda. Ndërsa në nivelin komunal në 31 raste janë përfshirë shkelje të rënda, ndërsa 8 raste kanë pasur shkelje të lehta. Vendim për ndërprerjen e punësimit si rezultat i shkeljeve të kryera, është marrë kundër 5 nëpunësve civil”.

Yagcilar tha se janë duke punuar me përkrahjen e BE-së në zhvillimin e akteve nënligjore e rregullave të ndryshme në zbatimin e ligjit.

“Sa i përket Ligjit për zyrtarët publikë, ka të bëjë me reformën më të rëndësishme në Administratën Publike sepse do ndryshoj procedurën e rekrutimit për shërbyesit civilë i cili është shqetësim sa i përket etikës. Jemi duke punuar me përkrahjen e BE-së në zhvillimin e akteve nënligjore e rregullave të ndryshme në zbatimin e ligjit. Reformat duhet të vazhdojnë përmes konsensusit sepse nëse duam të bëjmë diçka të mirë duhet të bëjmë reforma sepse ndryshe nuk ka”, ka thënë ai.