ApSh: Vendimi ndaj sulmuesve, tregon se pushteti gjyqësor është i kapur nga kriminelë

23.05.2017 19:26:32

Aleanca për Shqiptarët përmes një komunikate ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore, me ç’rast sulmuesit e deputetëve më 27 prill në hapësirat e Kuvendit u dënuan me kusht për veprën “pjesëmarrje në turmë”. Nga Aleanca për Shqiptarët vendimin e Gjykatës Themelore e quajnë skandaloz pasi sipas tyre, sulmuesit kanë marrë dënimin më të lehtë.

“Vendimi për t’i lënë të lirë sulmuesit edhe një herë e vërteton faktin e pamohueshëm se pushteti gjyqësor, sikurse çdo pushtet tjetër në Maqedoni në të kaluarën është i kapur nga banda kriminele e udhëhequr nga disa zyrtarë të OBRM-PDUKM-së. Kjo bandë e cila e kishte menduar mirë skenarin e sulmit të deputetëve në parlament, posaçërisht eliminimin fizik të liderit të LR-PDSH-së, Ziadin Sela, vazhdon të realizojë përfundimin e skenarit, respektivisht lirimin e sulmuesve të deputetëve. Pamjet e kamerave të sigurisë janë argumenti më i qartë se pas sulmit terrorist në Kuvendin e Maqedonisë, qëndron pikërisht OBRM-PDUKM-ja. Deputetët që kanë ndihmuar terroristët për të hyrë në Kuvend duke hapur dyert e parlamentit janë treguesi më i mirë se OBRM-PDUKM-ja ka orkestruar mirë dhe skenarin e gjykimit të mundshëm të sulmuesve”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.