Arban Abrashi vazhdon takimet me qytetarë të Prishtinës

07.10.2017 13:40:37

“Programi ynë qeverisës bazohet në kërkesat konkrete dhe nevojat reale të qytetarëve”, ka thënë Abrashi, gjatë  një takimi me strukturat e degës së dytë të LDK-së.

Po ashtu, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, ka premtuar ndërtimin e 3 çerdheve për fëmijët e në Fushën e Pajtimit, afër Dodonës dhe në Velani. Kurse, në Sofali, ai ka premtuar ndërtimin e shkollës për fëmijët e kësaj lagjeje.

Abrashi ka premtuar kënde sportive e rekreative si dhe mirëmbajtjen e parqeve të shkatërruara nga mungesa e kujdesit të qeverisjes në largim të Prishtinës.

Ai ka thënë se gjatë mandatit të tij në krye të ekzekutivit, do të kryhet restaurimi i Prishtinës së Vjetër si dhe do të ndërtohet një treg i denjë për një kryeqytet.

“Ne do ta ndërtojmë rrugën Kolovicë-Butovc, sepse ne mendojmë se ky duhet të jetë hapi i parë për të shtrirë investimet tjera, me qëllim të ndërtimit të kapaciteteve të Prishtinës turistike”, ka thënë Abrashi.