Arbana Xharra fiton çmimin letrar ‘Unaza e Katit’

15.10.2016 18:21:28
Çmimin ia ka dorëzuar donatori i këtij çmimi, Gjokë Kolëndrekaj.
Kryeredaktorja e Gazetës “Zëri”, Arbana Xharra ka fituar çmimin “Unaza e Katit” në manifestimin letrar, kulturor e shkencor, në Zym të Hasit, në tubimin e 45 herë me radhë  “Takimet e Gjeçovit”.

Xharra është fituese e këtij çmim për tekstet dhe guximin e saj si gazetare, gjatë një karriere në gazetari 15 vjeçare.

Çmimin ia ka dorëzuar donatori i këtij çmimi, Gjokë Kolëndrekaj.

Xharra, ka thënë se vetëm thirrja në këto takime është më tepër se ndër. Ajo gjatë fjalimit ka thënë se të jesh e rrethuar nda dy emra kolosal si Atë Shtjefën Gjeçovi dhe Katarina Josipi do të thotë të ndihesh si ajo e Vajza e Orleansit që Ati i Zymit e përkthej aq bukur dhe sikur me porosi.

“Të kesh fatin të jesh aty ku ditën e ndriçon aura e njërës nga themelueset e dramës dhe teatrit shqiptar si Katarina Josipi donë thotë ta falënderosh fatin që je e një kulture, etërit e së cilës qysh shumë herët monumentalizonin  femrën historike të lirisë për ta mundësuar femrën si subjekt autonom e atë barabartë në art, në jetë,në përditshmëri”, ka thënë Xharra.

Xharra ka thënë se do të vazhdon me punën duke shtuar se ka akoma për të bërë.

“Po ç’të bëj unë me këtë frymë e kujtesë? Aty nga zyrat e redaksive ku për çdo ditë të mbysin lajmet, kumtet për tendencat e shumta që me çdokusht duan ta zhbëjnë po këtë traditë, po këtë vijë tonë identitaren dhe atë me kërcënime nga më të ultat, me fyerje nga secila anë e më së tepërmi nga andej ku edhe nuk e pret? Ç’të bëjmë ne? T’ua dorëzojmë lirinë dhe hapësirat publike atyre që duan t’i vrasin për së vdekuri këto figura. Unë do të vazhdoje punën se kemi edhe shumë për të bërë”, ka thënë Xharra.

Frrok Kristaj, njëri nga themeluesit e Shoqatës së Shkrimtarëve të Zymit, e shpalli të hapur manifestimin, ndërsa me këtë rast foli  për jubileun dhe rrugëtimin gati pesë dekada të këtij manifestimi që asnjëherë nuk pati shkëputje.

“Para 45 vitesh kur e nisëm këtë organizim, nuk kemi pasur njerëz krijues në Has. Edhe sot, në këtë 45 vjetor, kemi botimet tona dhe libri është i pranishëm mes nesh. Mes tjerash kemi botimin mbi Anton Pashkun – Stilist i Ligjërimit, dhe kemi monografinë e botuar vitin e kaluar. Sot është dita e librit dhe është dita jonë”, tha mes tjerash Frrok Kristaj.

I pranishëm ishte edhe Ministri i punëve të Jashtme të republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e mbajtjes së këtij manifestimi në këtë lokacion të Kosovës, një qendër, që siç tha ai, në rrafshin kulturor dhe historik të Kosovës mbetet jetike për identitetin shqiptar.

“Mbajtja e kësaj ngjarjeje tregon për simbolikën e respektimit të veprës së At Gjeçovit, dhe flet për atë se sa rrugë të gjatë kemi bërë. Identiteti sot është më i rëndësishëm sesa ka qenë para disa vitesh, dhe për mendimin tim këto takime i japin kuptim identitetit të Kosovës” tha në fjalën e tij Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.

Çmimi tradicional Katarina Josipit, që ju nda gazetares Arbana Xharra, deri tash janë nderuar. Leze Spaçi Qena (aktore e teatrit), Ermina Delhysa – Lekajt (mezosoprane), Arta Dobroshit (aktore e filmit), Lajde Kajtazi – Kolgjerajt (koreografe), Safete Rogovës (aktore e teatrit), Nexhmije Pagarushës (soliste), Atifete Jahjages (kryetare e Republikës së Rosovës) dhe tash Jozefina Topalli (kryetare e Kuvendit të Shqipërisë). Çmimin ia dorëzoi donatori i tij Gjokë Kolndrekaj. Plaketa “Pena e Pjetër Bogdanit”, këtë vit iu nda Abdullah Zenelit, autori i dramës së parë kushtuar Shën Nënës Terezë.Agron Tufa ka fituar Plaketën “Pena e Anton Pashkut”, ndërsa instrumentisti Shaqir Hoti ka marrë Plaketën “Shtjefën Gjeçovi”.

Kjo ngjarje organizohet nga shoqata e shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” e Hasit dhe i cili mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës si dhe Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prizrenit.

Ipeshkvi Dod Gjergji,  i cili vazhdimisht ka qnë pjesë e këtij manifestimi të rëndësishëm kulturor, foli mbi lirinë dhe mundësinë e jetesës në liri edhe në kohë okupimi.

“Pa të vërtetën, nuk do t’i dimë rrugët kah të shkojmë, as në të kaluarën, as në të sotmen, e as në të ardhmen. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi që t’i bashkojmë forcat për të gërmuar në zemrat e njëri tjetrit, për t’i ruajtur vlerat që populli ynë i ka natyrshëm në vetvete: nderin, burrërinë, shpresën, gëzimin dhe dashurinë për të ardhmen” tha në hapje të këtij manifestimi Ipeshkvi Dod Gjergji.

Këtë manifestim si zakonisht e kanë shoqëruar aktivitete të ndryshme kulturore që i japin një sharm të veçantë këtij manifestimi që mbahet në hapësirat piktoreske të Zymit.

auto_8arbana_copy1476544838