Ardian Gjini, kundërshtetërore kanë qenë edhe angazhimet kur ju keni qenë bashkë me Albinin

08.09.2016 17:13:47

Ardian Gjini ka bërë një postim sot në facebook, të cilin do ta nënshkruaja pa ia hequr asnjë presje, pasi që të gjitha ato që thotë aty, janë të vërteta, dhe si të tilla i kam thënë vazhdimisht. Unë e përgëzoj z. Gjini që ka dal me një postim të tillë, jo për mua, as për popullin, por për veten e tij dhe për forcën politike që përfaqëson! Them këtë se pavarësisht qëndrimeve dhe veprimeve që ka ndërmarrë kjo forcë politike, unë kam qenë shumë i qartë në qënmdrimet e mia se sekta okulte e Albinit ka axhendë kundërshtetërore dhe luftënxitëse, pikërisht për të rrënuar shtetin dhe për të hapur rrugë për zgjidhje të tjera që nga ato autonomiste brenda një federate me Serbinë, e deri te ndarja e Kosovës. Kanë qenë të shumtë ata që ma kanë zënë për të madhe pse Vetëvendosjen e quaj sektë okulte të Albinit, dhe pse e quaj lëvizje anarkiste, por koha ka treguar se ajo funksionon si sektë ku i pari është më shumë sesa njeri dhe ka atribute mbinjerëzore, dhe se ajo vërtet është një lëvizje anarkiste pra kundërshtetërore. Edhe pse ishte shumë e qartë se sekta okulte e Albinit është sektë okulte dhe lëvizje anarkiste, AAK dhe Nisma iu subordinuan dhe u bënë pjesë e angazhimeve të kësaj sekte për destabilizimin dhe shkatërrimin e shtetit. Nuk ishte aspak as në dinjitetin personal të Ramush Haradinajt, por as në dinjitetin e një ish-kryeministri që nga pozitat e kryetarit të një partie politike të kërcënonte kryeminstrin e vendit me arrestim, sepse arrestime mund të bëjë vetëm policia në bazë të urdhërave të institucioneve prkatëse të drejtësisë,  e jo ndonjë drejtues partie. Kur t’i shtohet kësaj edhe fakti se një kërcënim i tillë i drejtohej kryeministrit të vendit, atëherë ky mund të kosnderohet si kërcënim ndaj shtetit. Dhe jo vetëm kaq: AAK dhe Nisma u përfshin plotësisht në aksionet anarkiste me elemente terroriste dhe për këto nuk ka kërkuar aflje kurrë. Prandaj, sado që është mirë që Ardian Gjini shprehet qartë për tendencat brenda politikës shqiptare që të bindin botën dhe shqiptarët se nuk jemi të aftë të mbajmë shtet, por ai dhe forca politike që drejton duhet të bëjnë hapin tjetër: të bëhen plotësisht konstruktive dhe të mos luajnë me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës. AAK duhet ta kuptojë se Kosova ka një President, ka një Kryeministër, ka një Qeveri, ka një Kuvend, ka një Kryetar Kuvendi, që aty janë me votën e qytetarëve e jo me vullnete personale. Nuk është mirë për AAK-në dhe për asnjë forcë politike që dominimin politik të dy forcave të mëdha politike të provojë ta thyejë duke provuar ta destabilizojë vendin në emër të gjoja interesave kombëtare.