Arifi kundër takimit të Mustafës me Vuçiqin

22.01.2017 16:13:10

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Avni Arifi, ka reaguar rreth paralajmërimit të takimit të kryeministrit Isa Mustafa me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiq.

Arifi ka thënë se përderisa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjendet në Francë, takimi i Mustafës me Vuçiqin është injorim total i zërit të qytetarëve dhe protestave që u organizuan ditëve të fundit rreth lirimit të Haradinajt si dhe ndaljes së bisedimeve me Serbinë. “Takimi i mundshëm i kryeministrit të Kosovës me kryeministrin serb përderisa Ramush Haradinaj mbahet pa asnjë bazë në Francë është miratim i heshtur i kësaj ndaljeje. Një takim i tillë është injorim total i të gjitha protestave të shqiptarëve anekënd botës dhe përgënjeshtrim i të gjitha deklaratave të deritanishme të zyrtarëve qeveritarë lidhur me poternicat”, ka shkruar Arifi në llogarinë e vet në “Facebook”.