Arkitekti sfidon Shpend Ahmetin për ndërtimet e egra në Prishtinë

30.03.2017 20:23:31

Sonte në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ u transmetua një reportazh në lidhje me ndërtimet pa leje, ndërtime këto që krijuan zhurmë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje e kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti gjatë kohës kur ky i fundit po bënte fushatë në garën për kryetar të komunës.

Kryetari i Shoqatës së Arkitektëve, Eljesi Surdulli, tha se nuk po respektohet plani zhvillimor urban.

“Në plan rregullativ që u aprovu në kuvendin komunal në 2010 është paraparë gjelbrim këtu në Rrugën B. Plani zhvillimor urban e ka përcaktu distancën mes ndërtesave, distanca tani që nuk janë duke u respektuar”, tha Surdulli.

Te kyçja në autostradë e cila të dërgon në Shkup e Prizren, është e ndërtuar një pompë benzine e cila sipas Surdullit është zonë banimi dhe zonë gjelbërimi.

“Zonë banimi dhe zonë gjelbërimi është paraparë. Duhet të japë përgjigje komuna por siç shihet nuk është respektu as ligji për planifikim hapësinor as për rrugë”, shtoi Surdulli.

Në Veternik, gjelbërimi ishte prerë e në vend të tyre është ndërtuar një banesë. Sipas Surdullit, kjo pjesë duhej të ishte minimumi 20 metra e gjelbëruar.

“Ka qenë zonë gjelbërimi dhe i takon ministrisë së infrastrukturës kjo rrugë. Nuk ka mundësi të mbillet sepse është afër rrugës. Sipas planit të zhvillimit urban është dashtë të jetë zonë minimum 20 metra gjelbërim”, tha Surdulli për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Ai shpalosi edhe disa lokacione tjera në Prishtinë, në të cilat, sipas tij, nuk është respektuar plani kur janë dhënë lejet për ndërtime.

E kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, pas reportazhit të shfaqur tha se në Komunën e Prishtinës, janë gjetur 46 ndërtime pa leje të cilët më pas janë ndalur.

“Ndërtime pa leje në Komunën e Prishtinës i kemi gjet 46 ndërtime pa leje dhe i kem ndal. Në vitin 2013 ka kalu plani zhvillimor urban nga Komuna e Prishtinës në shtator para se me ardh unë. Në vitin 2013 në Kuvendin e Kosovës ka kalu ligji për ndërtime me rast nuk lejohet ndryshimi i planeve rregullative dhe plani i zhvillimit urban të kaluar nga LDK në vitin 2013. Çdo komunë duhet ta hartojë hartën zona në mënyrë që të bëj ndryshime”, tha Ahmeti

Në anën tjetër Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se Komuna e Prishtinës sipas raportit të inspektoratit të MMPH-së nuk ka zbatuar veprimet të cilat janë kërkuar nga ajo.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe komisioni MMPH- MAPL për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve të Kuvendeve Komunale ka vepruar me kohë lidhur me këtë çështje por edhe përkundër kësaj Komuna e Prishtinës nuk i ka zbatuar veprimet të cilat janë kërkuar nga ajo”, thuhet në përgjigjen e MMPH-së.