Armend Zemaj paralajmëron sanksione për ata që nuk i respektojnë masat e reja të Qeverisë

06.07.2020 11:02:53

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur për masat e reja që u morën mbrëmë nga Qeveria e Kosovës. Ai ka thënë se mosrespektuesit e rregullave do të kenë sanksione ligjore.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se në mbikëqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e inspektorateve (Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë etj). Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente

Postimi i plotë: 

Të dashur qytetarë,

Sot nis zbatimi i masave të reja anti-Covid-19. Jo nga deshira, por nga imperativi i situatës së krijuar nga mosrespektimi i masave liruese. Mosrespektuesit e rregullave do të kenë sanksione ligjore. Në mbikëqyrje të zbatimit të masave do të jenë inspektorët e inspektorateve (Inspektorati Sanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Komunale, dhe mekanizmat e sigurisë etj). Komunat do të riaktivizojnë plotësisht shtabet emergjente.

MASAT PARANDALUESE: Për të parandaluar virusin është vendosur që të ndalohet lëvizja në disa komuna gjatë orarit të caktuar, reduktim të numrin të të punësuarve në institucione, reduktim të shërbimeve shëndetësore jo esenciale në institucione shëndetësore, krijim të kapaciteteve të reja testuese në regjione, licencim të institucioneve shëndetësore private për të kryer testime për Covid-19, blerje të 100,000 testeve virologjike, 500,000 vaksinave të gripit sezonal, porosi të vaksinës eventuale kundër Covid-19, blerje të 7 aparateve për testim, sigurim të terapive të Covid-19, pagesë dhe buxhet shëndetësor shtesë për personelin shëndetësor, pajisje mbrojtëse për personelin mjekësor, etj.
Ministria e Shëndetësisë ka përgaditur “Planin e veprimit për zbatimin e procedurave të testimit me Covid-19” që do të zbatohet menjëherë.

KAPACITETET: Institucionet shëndetësore do të rrisin kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore për të trajtuar rastet me Covid-19, do të riorganizohen klinikat në SHSKUK-së, do të krijohen kapacitetet shtesë me shtretër në spitalet rajonale, në institucionet private shëndetësore do të krijohen kapacitete shtesë më shtretër, do të riorganizohet dhe rritet personeli mjekësor shëndetësor, mobilizimi stafit mjekësor në nivel vendi, në veçanti shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet Covid-19.

Ju lutemi respektoni masat mbrojtëse