Arrestohen 7 persona në Korçë, shisnin drogë në lokal nate

21.05.2017 14:38:31

Finalizohet në Korçë operacioni policor për shpërndarjen dhe përdorimit të lëndëve narkotike në lokale nate, ku janë arrestuar 7 persona. Në pranga janë rënë shtetasit Armando Kokot, 18 vjeç Mario Kokot, 22 vjeç, vëllezër; Leodin Rungo, 37 vjeç, Johan Mukollari, 42 vjeç dhe Agron Berisha, 44 vjeç, të gjithë banues në Korçë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve kryer në bashkëpunim”.
Aksioni është bërë me datë 21 maj 2017, ku gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal me muzikë live, me vendndodhje në kilometrin e parë të rrugës Korçë-Dishnicë, në afërsi të tavolinës ku ndodheshin shtetasit e mësipërm u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 3 doza me lëndë narkotike të kokaine, të fshehur në një paketë cigaresh, si dhe 27 gramë bimë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e futur në qese plasmasi.

Gjithashtu në vijim të hetimeve lidhur me këtë rast u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Aleks Kostreci, 44 vjeç, banues në Korçë, pronar i këtij lokali si i dyshuar për konsumim të veprës penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, si dhe truprojës të sigurisë në këtë lokal shtetasit Elton Liço, 46 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Liço dyshohet se ka njoftuar shtetasit e lartpërmendur për ardhjen e Policisë, të cilët pas marrjes të këtij sinjali kanë tentuar të fshehin lëndën e dyshuar narkotike .

Po në lidhje me këtë rast, specialistët e Seksionit për Krimin Ekonimik-Financiar, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetases E.K, 26 vjeçe, banuese në Korçë, (bashkëshortja e pronarit) për veprat penale: “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave” pasi rezulton se në këtë lokal, kjo shtetase nuk lëshonte kupon tatimor për klientët , si edhe kishte punësuar dy punonjës të cilët i kishte të padeklaruar në skemën e sigurimeve shoqërore.

Materialet për hetime të mëtejshme në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.