Arrestohen dy ish-këshilltarë të presidentes Geun-Hye

06.11.2016 18:17:32

Dy ish-këshilltare të presidentes koreano-jugore u arrestuan zyrtarisht sot pas një hetimi mbi skandalin politik që ka ulur popullaritetin e presidentes, Geun-Hye.

Dje, dhjetëra mijëra koreano-jugorë manifestuan në Seul për të kërkuar dorëheqjen e presidentes së tyre, që ka marrë përgjegjësinë e plotë për skandalin.

Park është akuzuar për përfshirjen në një sërë zbulimesh sipas të cilave ajo këshillohej për çështjet shtetërore nga një mike 40-vjeçare, Choi Soon-Sil, e cila ka përfituar nga pozicioni i saj për të marrë para nga konglomeratët kryesorë në vend.

Arrestuar pas rikthimit nga Gjermania ku ishte arratisur në muajin shtator, ajo u bë objekt i një kërkese zyrtare për arrestim për mashtrime dhe abuzime me pushtetin.  Sot në mëngjes, ish-këshilltari i saj presdencial, Ahn Jong-beom u arrestua për abuzime me pushtetin dhe tentativë arratisjeje, njoftoi agjencia koreano-jugore e lajmeve Yonhap.

Ai dyshohet se ka ndihmuar Choi për përfitimin e miliona dollarëve nga konglomeratët të cilët i kishte detyruar të jepnin donacione të mëdha për fondacionet e krijuara për këtë arsye.

Një tjetër ish-këshilltar i afërt i Park, Jeong Ho-Seong u arrestua gjithashtu. 47 vjeç ai është konsideruar si krahu i djathtë i Park, për të cilën ai punonte që prej vitit 1998. Ai dyshohet se i ka dhënë Choi, e ashtuquajtur “Rasputin”, informacione të klasifikuara, mes të cilave fjalime.

Presidentja është përfshirë prej disa ditësh në këtë skandal politik gjë që ka shkaktuar dhe uljen e popullaritetit në pesë për qind, një rekord për një presidente në detyrë.