Arrestohen hetues të lartë rusë për lidhje të dyshuara me krimin

19.07.2016 20:59:50

Agjencia kryesore ruse e sigurisë ka hapur një hetim për vepra krimi ndaj zyrtarëve të institucionit më të lartë të inteligjencës për akuzat se kanë marrë ryshfet nga një rrjet kriminal dhe kanë kryer vepra të tjera.

Shërbimi Federal i Sigurisë tha në një komunikatë të tij më 19 korrik se zyrtarët e tij kishin bastisur shtëpitë e të dyshuarve nga Komiteti hetues federal, një institucion analog i Rusisë me Byronë Federale të Hetimeve në SHBA, dhe se ata janë burgosur.

Mediat ruse njoftuan se FSB, agjencia kryesore trashëgimtare e KGB-së sovjetike, ka arrestuar tre hetues të lartë nga dega e Moskës të Komitetit Hetues, me dyshimin se kanë marrë para nga kriminelët, për t’i mbrojtur..

Në komunikatën e FSB-së thuhet se hetimet filluan në bashkëpunim me Komitetin Hetues, që drejtohet nga Aleksandr Bastrykin, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Vladimir Putin dhe se vetë presidenti rus është njoftuar për çështjen.

Arrestimet mund të nxisin rivalitet ndërmjet agjencive për sundimin e ligjit në Rusi, që rregullisht janë përplasur për resurse dhe territor gjatë pushtetit 18 vjeçar të Putinit. Shumica e përplasjeve mbeten të pazbuluara prapa skenës, megjithëse herë pas here kanë dalë edhe në opinion publik.

Mediat ruse kanë cituar burime të paidentifikuara që kanë ndërlidhur hetimet me arrestimin e fundit të udhëheqësit të dyshuar të krimit Zakharia Kalashov, të njohur edhe si Shakro Molodoy (Shakro i Ri), dhe figurave të tjera të supozuara të nëntokës.

Tre hetuesit, që janë objektiv i hetimeve, u sollën në gjykatën e qarkut Lefortovo të Moskës për seancë dëgjimore për arrestimin e tyre zyrtar, njoftuan mediat ruse nga gjykata.

Të dyshuarit që u sollën përpara gjykatës janë Denis Nikandrov, zëvendës shefi i degës së Agjencisë në Moskë, Mikhail Maksimenko, shef i sigurisë, dhe zëvendësi i tij Aleksandr Lamonov.

Një avokat mbrojtës i njërit nga të dyshuarit u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novost, të ketë deklaruar se Nikandrov dyshohet të ketë marrë rreth 1 milion dollar amerikanë nga Kalashov.