Arrestohen policë maqedonas, u përfshinë në grup të madh kriminal (FOTO+VIDEO)

20.07.2016 13:10:01

Departamenti për krime të rënda pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, sot e ka kryer aksionin policor “Ujku”, gjatë të cilit ka shkatërruar një grup kriminel, përfshirë edhe pjestarë të policisë, në zonat e Velesit, Negotinës, Gjevgjelisë dhe Shkupit.

“Gjatë natës së kaluar deri në orët e hershme të mëngjesit janë kryer bastisje në shtëpi dhe lokacione tjera në 24 vende të Velesit, Negotinës, Gjevgjelisë dhe Shkupit, me dyshimin për kryerjen e veprave penale bashkim kriminel, grabitje, paraqitje me identitet mashtrues, prodhim dhe lëshim në treg në mënyrë të paautorizuar të lëndëve narkotike; substancave psikotrope dhe prekursorë, kontrabandë me emigrantë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Sipas policisë, organizatorët e grupit janë tre persona nga Velesi, nga të cilët njëri është i punësuar në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) në Veles.

“Grupi ka filluar të veprojë në fillim të vitit 2015 në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kanë kryer vepra nga fusha e krimit të dhunshëm, tregti të paligjshme me drogë, kontrabandë me emigrantë dhe vepra tjera korruptive. Në kryerjen e aktiviteteve kriminale, në grup kanë marrë pjesë edhe zyrtarë policorë të SPB – Velesit. Zyrtarët policorë, kontaktet dhe  veprimet gjatë kryerjes së veprave penale i kanë kryer gjatë orarit të punës në lidhje me detyrën zyrtare, më pastaj të njëjtën e kanë keqpërdorur me qëllim që grupit kriminel t’i mundësojë informata dhe ndihma tjera logjistike që ata t’i kryejnë me sukses veprat penale”, thonë nga MPB.

Sipas MPB-së, zyrtarët e dyshuar policorë gjithashtu anëtarëve të grupit kriminel u kanë siguruar edhe uniforma policore për kryerjen e veprave penale, ndërkaq në disa raste edhe aktivisht kanë marrë pjesë gjatë veprave.

“Deri më tani gjatë bastisjeve janë gjetur pistoletë automatike, bombë dore, pistoletë, grirës të marihuanës, municion për armë zjarri, dokument zyrtar, fatura për pagesë të akteve gjyqësore, fletëpagesa”, shpjegojnë nga MPB.

Pas masave të ndërmarra, MPB, konstaton se përfaqësuesit e grupit kriminal kanë marrë pjesë edhe në shumë ngjarje tjera penale tanimë të dokumentuara dhe të procesuara, transmeton Portalb.

“Dy nga gjithsej tre organizatorët e grupit kriminale kanë qenë organizatorë edhe të grabitjes që ka ndodhur në Veles më 08.02.2016 në “Stopanska Bankë”, në të cilën u vodhën 4 milionë denarë (65.000 euro). Gjithashtu i dyshuari i parë – 35 vjeçari nga Velesi, në territoret e Velesit dhe Shtipit më shumë se një vit ka organizuar rrjet më të madh të shpërndarësve të drogës. Ai drogën – kryesisht marihuanë, e ka marrë nga Shqipëria ose Shkupi dhe e ka dorëzuar te përfaqësuesit e tjerë të grupit,  të cilët nëpërmjet ndërmjetësuesve e kanë shpërndarë”, thonë nga MPB.

Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu shton se është konstatuar gjithashtu se ky grup , ka organizuar transport edhe për më së paku 559 emigrantë..

“Grupi ka vepruar edhe nëpërmjet Burgut në Gjevgjeli, ku i gjykuari ka marrë pjesë në gjetjen e emigrantëve dhe gjatë bastisjes së parë në qelinë e burgut janë gjetur telefona mobil. Në kuadër të hetimit kriminel në ditët e kaluara tanimë janë arrestuar pesë persona, gjatë ditës së sotme janë burgos, sot janë arrestuar 14, 3 persona janë në kërkim, një person gjendet jashtë territorin të Maqedonisë dhe një person është duke e vuajtur dënimin me burg. Për të gjithë do të paraqitet padi penale”, njoftojnë nga MPB.

aksioni-ujku-2_1469019311-4951268 aksioni-ujku-1_1469019305-9872272