Arrestohet dhe suspendohet nga puna një polic në Prishtinë, dyshohet se rrahu rëndë një 21-vjeçar

08.04.2020 17:51:43

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar një zyrtar policor në Prishtinë, për shkak se dyshohet se ka kryer veprën penale ‘keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare’.

Në njoftim thuhet se “Departamenti për menaxhimin e ankesave dje ka pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në një incident që kishte ndodhur më 5 prill 2020 në lagjen “Velania” në Prishtinë.

“Sipas pretendimeve të familjarëve të viktimës (21 vjeçar) ai kishte pësuar dëmtime në kokë pas një incidenti që e ka pasur me një zyrtar policor. Rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë rast. Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot zyrtarin policor (punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident”, thuhet në njoftim.

IPK bën të ditur se arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

IPK njofton se veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.