Arrestohet ‘i forti’ i Tiranës, si i plagosi dy vëllezër te “Kafja e Rremës” (Video)

11.01.2017 19:04:40

Policia e Tiranës ka arrestuar ditën e sotme Herger Çitakun, 28 vjeç, i njohur për plagosjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2012.

Çitaku u arrestua ditën e sotme, pasi është dënuar me 12 vjet burg për plagosjen e dy të rinjve. Policia ka publikuar edhe videon e arrestimit të të fortit të Babrrusë.

NGJARJA

Më datë 21.05.2012, rreth orës 20:30, në lokalin “Çermenika” në pronësi të shtetasit Sokol Gjypi ka shkuar si klient shtetasi Enver Bitri. Në lokal, në këtë kohë, ndodheshin shtetasit Armando Gjypi dhe Jetnor Gjypi (djemtë e shtetasit Sokol Gjypi) të cilët ishin të punësuar aty, dhe që, së bashku me shtetasit Erald Bruçi, Isuf Bruçi dhe Eriol Xherri, ishin ulur në një nga tavolinat në verandën e lokalit. Shtetasi Enver Bitri, i cili ka qenë në gjendje të dehur kur ka mbërritur në lokal, është ulur në tavolinën ngjitur me tavolinën në të cilën ndodheshin i dëmtuari Armando Gjypi dhe shtetasit Jetnor Gjypi, Erald Bruçi, Isuf Bruçi dhe Eriol Xherri dhe ka porositur një birrë.

Duke parë gjendjen e tij të dehur, i dëmtuari Armando Gjypi në fillim nuk ka dashur t’i shërbejë, por, më pas, duke parë këmbënguljen e tij, i ka shërbyer. Gjatë kohës që ishte duke pirë birrën shtetasi Enver Bitri ka filluar një debat me fjalë me shtetasit Erald Bruçi dhe Eriol Xherri, të cilët ndodheshin në një tavolinë me të dëmtuarin Armando Gjypi dhe vëllanë e tij Jetnor Gjypi. Duke parë debatin që po zhvillohej mes shtetasit Enver Bitri dhe miqve të tij, shtetasi Jetnor Gjypi e ka nxjerrë shtetasin Enver Bitri jashtë lokalit duke e shtyrë, pasi ai ishte i pirë dhe kundërshtonte, nuk donte të largohej. Për një moment shtetasi Enver Bitri është rrëzuar.

Në këtë kohë, i pandehuri Herger Çitaku, i cili ndodhej në bilardon përballë me lokalin e vëllezërve Gjypi, duke parë që shtetasi Jetnor Gjypi kishte rrëzuar në tokë shtetasin Enver Bitri, i cili ishte mik me babanë e tij, ka ndërhyrë për të ndihmuar këtë të fundit dhe është konfliktuar me fjalë dhe pastaj me grushta me shtetasit Jetnor Gjypi, Armando Gjypi, Erald Bruçi dhe Erjol Xherri.

Duke qenë se ata ishin më shumë në numër, i pandehuri Herger Çitaku është larguar duke thënë: “…do më njihni se kush jam unë…”. Pas konfliktit, i dëmtuari Armando Gjypi dhe shtetasit Jetnor Gjypi, Erald Bruçi, Isuf Bruçi dhe Erjol Xherri janë rikthyer në tavolinën e tyre në verandën e lokalit “Çermenika”. Pas rreth pesë minutash, i pandehuri Herger Çitaku është rikthyer në lokal duke mbajtur një armë zjarri, ai ka qëlluar një herë kur ka qenë rreth 10­20 m larg lokalit, më pas ka vazhduar të qëllojë duke iu afruar gjithmonë e më shumë verandës së lokalit.

I pandehuri ka qëlluar katër herë në drejtim të lokalit ku ndodheshin i dëmtuari dhe shtetasit Jetnor Gjypi, Erald Bruçi, Isuf Bruçi dhe Erjol Xherri, duke shkaktuar dëmtime në rrethimin e jashtëm të verandës së lokalit dhe thyerjen e vetratës së tij, si dhe duke plagosur në këmbë të dëmtuarin Armando Gjypi. Për sa i përket të pandehurit Flor Abazi, nga provat e administruara në gjykim rezultoi se i pandehuri Flor Abazi ka qenë i pranishëm në vendin e ngjarjes, më datë 01.04.2012, rreth orës 20.00, kur, në një lokal pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas një zënke për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasi Naim Basriu.

I pandehuri Flor Abazi megjithëse ka qenë i pranishëm në lokal në momentin që shtetasi Naim Basriu ka qëlluar me armë, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe nuk ka kallëzuar faktin e ndodhur. Gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, konkretisht, pas administrimit të akt­ekspertimit balistik me nr. 5417, datë 08.06.2012, ka rezultuar se gëzhojat e gjetura dhe të sekuestruara në ngjarjen për të cilën akuzohet i pandehuri Herger Çitaku, ishin qitur nga e njëjta armë e përdorur edhe në një ngjarje tjetër (ngjarjen e datës 01.04.2012), të regjistruar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë si procedim penal me nr. 1749, datë 12.04.2012.