Arrestohet në Gjermani sulmuesi i Sokol Zogajt, drejtorit të burgjeve të Kosovës

13.12.2017 16:27:40

Autoritetet gjermane kanë arrestuar një person i cili dyshohet se ka sulmuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj në gusht të këtij viti.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar Bajram Krasniqi nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

“Autoritetet Gjermane, pas lokalizimit nga njësitë aktive të personave të arratisur, kanë konfirmuar se kanë arrestuar personin me incialet B.A. Ai tashmë është i ndaluar në Gjermani”, ka thënë Krasniqi.

Jozyrtarisht merret vesh se personi i arrestuar është Blerim Abdullahu.

Në gusht të këtij viti, Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ishte sulmuar nga persona të panjohur para banesës së tij në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Pas këtij sulmi kishin reaguar krerët e shtetit dhe EULEX-i të cilët kishin kërkuar që sa më parë të gjendet personi që ka sulmuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogajt.